Adem Demaçi ishte edhe simbol i rezistencës politike

10 dhjetor 18:52

Kolegji AAB, në shënim të 10 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, në bashkëpunim me KMDLNj-në ka organizuar të hënën një tryezë kushtuar veprimtarit të shquar Adem Demaçi.

Me këtë rast, rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, ka thënë se kjo tryezë i kushtohet simbolit të rezistencës dhe përpjekjeve tona për liri, Adem Demaçit. “Në sakrificën e Adem Demaçit edhe Evropa dhe bota demokratike është ndërgjegjësuar më shumë. Sakrifica e tij na bëri që ne sot ta jetojmë lirinë dhe pavarësinë. Për shkak të vuajtjeve të tij bota e quajti Mandela i Evropës, kurse Parlamenti Evropian e nderoi me Çmimin Saharov”, u shpreh rektor Lulzim Tafa.

Në këtë shënim të 70-vjetorit të nënshkrimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, vepra e simbolit të rezistencës kosovare u përmend në disa dimensione, si atë letrare, politike dhe njerëzore.

Duke folur për Demaçin, Agim Vinca, njohës i mirë i letërsisë, ka thënë se Demaçi në radhë të parë njihet si veprimtar politik, por ai është edhe veprimtar për të drejtat e njeriut dhe shkrimtar. “Nuk duhet harruar këtë sepse ndonjëherë veprimtaria e tij politike, burgu, qëndresa, idealizmi i tij, lënë mbase pa të drejtë nën hije këtë aspekt të veprimtarisë së tij”, u shpreh Vinca.

Ndërsa Hajredin Kuçi u shpreh se Adem Demaçi ishte edhe simbol i rezistencës politike.

“Rrallë ndonjë personalitet në histori kombëtare dhe botërore shndërrohet për një periudhë shumë të shkurtër, frymëzues për breza të tjerë. Nuk ka lëvizje kombëtare, që nga viti 1954, edhe më tutje, që mendjen, emrin dhe zemrën e Adem Demaçit s’e ka pasur në përdorim, madje edhe ata që nuk e kanë njohur fare”, u shpreh Kuçi.

Pjesë e kësaj tryeze ishin edhe Behxhet Shala nga KMDLNj-ja dhe historiani Hakif Bajrami të cilët theksuan se Adem Demaçi do të jetë gjithmonë në jetët tona dhe do të përkujtohet gjithmonë.

Adem Demaçi njihet si veprimtar politik i cili ka marrë shumë çmime. Ai ishte fitues i Çmimit Saharov dhe çmimeve të tjera ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar se korrupsioni është…