Adem Demaçi nuk u tërhoq kurrë përballë asnjë trysnie

12 shkurt 12:58

“MENDIME TË ZGJEDHURA PËR ADEM DEMAÇIN” (3)

Selatin Novosella

31. Bajram Kosumi, kryeministër i Republikës së Kosovës: Adem Demaçi, kujdestari fanatik i lirisë
Për dyzet vjet Adem Demaçi e ushqeu lirinë. Ai qe kopshtari shpesh herë i vetëm i lirisë, kujdestari fanatik i lirisë. Kur të gjithë dyshuan te ëndrra e lirisë, ai foli për lirinë. Ai qëndroi me pishtarin e lirisë në duar edhe atëherë kur mund t’i dilte shpirti nga trupi.

32. Bamir Topi, president i Republikës së Shqipërisë: Adem Demaçi, hero i gjallë i Kosovës
Unë sot ndihem krenar që në emër të Shtetit shqiptar nderoj me dekoratën më të lartë “Nderi i Kombit” një emër qëndrese dhe disidence, një intelektual atdhetar të shquar, shkrimtarin dhe veprimtarin e të drejtave të njeriut Mendelën e Kosovës dhe heroin e gjallë të Kosovës Adem Demaçin. Miku im Adem, jemi me fat që ju kemi sot midis nesh.

33. Bardhyl Selimi: Adem Demaçi ishte për liri dhe barazi në hapësirat e Ballkanit
Adem Demaçi, dy ditë pas lirimit nga burgu i tretë, në vitin 1990, në intervistën e parë që ia dhe një televizioni slloven, pa shprehur kurrfarë urrejtje ose mllefi hakmarrës, ai u mundua të hapte rrugë e shtigje për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme dhe të favorshme për të gjithë ata që jo vetëm me fjalë por edhe me vepra ishin për liri dhe barazi në hapësirat e Ballkanit.

34. Baron Krespo, kryetar i Parlamentit Evropian: Çmimit “Saharov”, Adem Demaçit iu dha me vota të fshehta
Komisioni politik, në bazë të letrës së 8 nëntorit 1991, ia ka përcjellë propozimin Byrosë së zgjeruar, ku në mbledhjen e kësaj byroje më 21 nëntor 1991, ka vendosur me vota të fshehta, që Çmimit “Saharov” për vitin 1991 t’ia japin Adem Demaçit.

35. Basri Musmurati, sekretar i Partisë Demokratike të Kosovës: Adem Demaçi, njeriu më i veçantë i luftës për lirinë e Kosovës
Adem Demaçi, njeriu më i veçantë i luftës për lirinë e Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore, është gjithnjë i thjeshtë dhe i matur edhe pas lirimit të tij nga burgu i tretë në vitin 1990.

36. Bedri Selmani, afarist: Adem Demaçi nuk e pranoi paqen në robëri
Adem Demaçi është tribun shpirtëror i Çështjes kombëtare i cili, në lutën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u bë simbol dhe përfaqësues ideologjik i kësaj ushtrie. Ai, ndër të parët nga ne, e kuptoi se nuk ka “paqe në robëri” dhe tërë këtë e arsyetoi duke vepruar në kauzën se të gjitha ato kombe që kanë pranuar “paqen në robëri”, janë dy herë të robëruara, moralisht dhe ekonomikisht.

37. Bedri Zyberaj, veprimtar i çështjes kombëtare: Adem Demaçi nuk u tërhoq kurrë përballë asnjë trysnie
Adem Demaçi, si njeri që e karakterizon guximi, dashuria për njeriun dhe gatishmëria për vetëmohim, në asnjë kohë, përballë asnjë trysnie, ai nuk është tërhequr nga ajo që e mendonte se i përkiste. Andaj, pa Adem Demaçin, kombi ynë do ishte më i pakët, më i vogël dhe më i zbehtë në aspektin kulturor, filozofik, shpirtëror dhe politik.

38. Begzad Baliu, profesor i Universitetit të Prishtinës: Adem Demaçi, personalitet i veçantë
Adem Demaçi është i veçantë, së paku për tri arsye: e para, ai ishte i burgosur politik në ish-Jugosllavi, por jo disident i formatit të të burgosurve politikë të popujve të tjerë; e dyta, ai ishte veprimtar politik që drejtonte një organizatë ilegale të Lëvizjes çlirimtare; dhe, e treta, ai ishte njeriu kryengritës me prirje të veçanta letrare.

39. Behare Rexhepi, veprimtare e çështjes kombëtare: Adem Demaçi, sinonim i lirisë
Në tërë diasporën shqiptare, emir i Adem Demaçit ishte bërë sinonim i lirisë. Emri i Demaçit ishte bërë referencë kyçe për kërkesat e shqiptarëve që iu drejtoheshin institucioneve botërore.

40. Behxhet Shala, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë: Pak personalitete në botë janë si Adem Demaçi që fitoi çmime të rralla
Adem Demaçi është fitues i Çmimit “Saharov”, “Doktor Honoris Causa”, “Nderi i Kombit” dhe “Hero i Gjallë i Kosovës”. Përmenda vetëm disa tituj që nuk fitohen lehtë dhe se ka pak personalitete në botë që i fitojnë këto nderime.

41. Bislim Elshani, redaktor i gazetës “Alternativa”: Adem Demaçit të gjitha i nënshtrohen qëllimit kombëtar
Në veprimtarinë e Adem Demaçit gjithçka i nënshtrohet qëllimit të madh nacional: edhe Bibla e Kurani, edhe suret e hadiset e Pejgamberit, edhe kishat e xhamitë, edhe marksizmi i mëparshëm dhe antimarksizmi i mëvonshëm, edhe platonizmi e hegelizmi, edhe fizika dhe kimia kuantike, edhe orët e zanat e malit.

42. Bedri Islami, kryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës: Emri i Adem Demaçi ishte emër shprese
Shumë prej të burgosurve politikë që ishin, tashmë, në radhët drejtuese të Lëvizjes Ilegale apo të strukturave drejtuese të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin qenë me vite shokë të burgut të Adem Demaçit. Ai e kishte ndarë atë copë qelie dhe dhimbjen e burgimit me Fehmi Lladrovcin, Xhavit Halitin, Azem Sylën, Sejdi Gegën, Hasan Ukëhaxhajn, Ali Ahmetin, Shaban Mujën etj. Me shumë prej tyre, ose më saktë, me të gjithë ata e kishte ruajtur miqësinë edhe pas daljes nga burgu, dhe ndoshta në vete e kishte ndjerë se koha e tyre kishte shkuar para kohës së tij. Megjithatë, vetë emir i Demaçit në fillimin e vitit 1998 ishte një emër shprese. Idealistët po shkonin drejt shpresës.

43. Bejtullah Tahiri, veprimtar i çështjes kombëtare: Vepra e Adem Demaçit është kapitale
Vepra e Bacës Adem Demaçi është kapitale. Ajo në vete ngërthen tërë flijimin e djalërisë dhe jetës së tij për një ideal të shenjtë lirie. Në historinë e lavdishme të Kosovës, nuk mund të gjesh edhe një model si ai.

44. Beqir Musliu, shkrimtar: Adem Demaçi, në tabanin tonë kombëtar, e shkroi emrin shqiptar
Adem Demaçi personifikon emrin tim dhe tëndin, ai është Ne, i shumëzuar në mijëra, miliona dhe në bazament të tabanit tonë kombëtar e shkroi emrin tonë të madh, emrin shqiptar. Legjenda e gjallë ecë me këmbët e veta dhe futet në katakomb për të vdekur për qenien tonë shqiptare.

45. Berat Luzha, kryetar i Shoqatës së Burgosurve Politikë të Kosovës: Adem Demaçi, Drajfusi i Kosovës
Adem Demaçi është Mendela i Kosovës, Drajfusi i Kosovës dhe, njëkohësisht, Krishti i shqiptarëve, sepse edhe përkundër golgotës së tij, ai për “xhelatët” e tij do të thotë: “fali, o Zot, ata nuk kanë ditur se ç’kanë bërë!”

46. Besa Çeku, gazetare: Adem Demaçi, ndër personalitetet më të kulturuara në Kosovë
Adem Demaçi dhe të burgosurit politikë shqiptarë të Kosovës dhe Viseve shqiptare në ish-Jugosllavinë ishin, jo vetëm shtresa më vetëdijshme, më e guximshme dhe më sakrifikuese por, gjithsesi, edhe shtresa më e kulturuar e jona. Kështu mund të thuhet për faktin se, është e njohur nga historia, vetëm popujt e kulturuar nuk pranojnë, me asnjë çmim, që të jetojnë nën robëri.

47. Besa Hoxha-Beqiri, profesoreshë: Adem Demaçi ka mbajtur gjallë shpresën e shqiptarëve për liri
Adem Demaçi dhe 34 atdhetarë tjerë janë dënuar në procesin politik të vitit 1975, sepse kanë menduar shqiptarisht, dhe me këtë kanë mohuar tendencën e Beogradit për jugosllavizimin e shqiptarëve; janë dënuar sepse në mendjet e tyre kanë projektuar lirinë, dhe me këtë kanë stigmatizuar lirinë e rrejshme të pushtuesit; janë dënuar sepse nuk kanë hequr dorë prej përcaktimeve të tyre politike-kombëtare dhe veprimtarive të tyre të mëhershme në këtë drejtim, dhe me këtë kanë mbajtur të gjallë shpresën e shqiptarëve për liri.

48. Besim Zymberi, veprimtar i çështjes kombëtare: Adem Demaçi, misionar dhe filozof
Nëse Adem Demaçin e njohim si misionar, ai në të vërtetë ishte dhe mbetet: Mision i përurimit të vlerës së nocionit të lirisë. Nëse Demaçin e njohim dhe e vlerësojmë si filozof, ai në të vërtetë është: Filozofi e avancimit të botëkuptimit të lirisë, në përmasën dhe dimensionin e saj të mirëfilltë.

49. Besnik Mustafaj, shkrimtar: Adem Demaçi, i panshtruari i durueshëm
Nuk besoj se ka shqiptar që nuk vihet në mendime, kudo që të ndodhet në botë, kur sheh se Adem Demaçi ka marrë vendimin për t’u mbyllur në grevë urie. Jeta dhe vepra e tij dëshmojnë më së miri, tashmë, jo vetëm guximin e tij, jo vetëm përkushtimin e tij, por edhe maturinë e tij. Adem Demaçi ka qenë dhe është i panënshtruari i durueshëm.

50. Binak Ulaj, veprimtar i çështjes kombëtare: Adem Demaçi i toleronte dhe i afronte edhe ata që, dikur, veprimtarinë e tij e kishin quajtur “veprimtari armiqësore”
Baca Adem Demaçi, si kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, përveç përpikërisë, shquhej edhe me ndjenjën e mirëkuptimit dhe tolerancës dhe u afronte bashkëpunim edhe atyre të cilët dikur e kishin quajtur veprimtarinë e tij “veprimtari armiqësore”, “veprimtari kundër interesave të popullit shqiptar”…!

51. Blerim Shala, publicist: Adem Demaçi kërkonte që negociatat Kosovë-Serbi të ndërmjetësoheshin dhe të garantoheshin nga ShBA-të
Që të arrihej armëpushimi në mes forcave të UÇK-së dhe forcave serbe, sipas Adem Demaçit, nga Kosova duhej të bëhej tërheqja e plotë e të gjitha forcave ushtarake-policore serbe, pastaj Tribunali i Hagës për Krime të Luftës duhej të fillonte hetimet në Kosovë, duhej t’i mundësohej refugjatëve kthimi në shtëpitë e tyre, duhej t’i paguhej dëmshpërblimi të gjitha familjeve të dëmtuara shqiptare në luftën e këtij viti, pastaj duhej të mundësohej funksionimi i të gjitha organizatave humanitare kombëtare dhe ndërkombëtare dhe, më në fund, negociatat duhej të ndërmjetësoheshin dhe të garantoheshin nga ShBA-të.

52. Branko Horvat, ekonomist dhe kandidat për çmimin Nobel: Adem Demaçi kishte për qëllim ta fitonte të drejtën për vetëvendosje për viset e banuara me shqiptar në Jugosllavi
Shkrimtari Adem Demaçi, i cili në vitin 1963 themeloi organizatën “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, kishte për qëllim ta fitonte të drejtën për vetëvendosje deri në shkëputje për viset e banuara me shqiptarë në Jugosllavi. Është në burg, me ndërprerje, më tepër se 23 vite.

53. Bujar Dugolli, kryetar i Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës: Baca Adem Demaçi na tha studentëve: “Bravo, ju studentët, e keni dhënë provimin!”
Më 21 gusht 1997 e vizituam Adem Demaçin në selinë e Partisë Parlamentare të Kosovës, të cilën atyre ditëve e udhëhiqte Baca. Pritja ishte shumë e ngrohtë. Adem Demaçi na përgëzoi për vendimin tonë në Unionin e Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës për organizimin e protestës së ardhshme të 1 Tetorit 1997. Baca Adem na tha: “Ju si Union, si studentë e keni dhënë provimin. Bravo ju qoftë”!

54. Daniel Leuwers: Adem Demaçi, pasardhës i figurave eminente dhe të jashtëzakonshme si Nelson Mendela, Dupçeku dhe Hang Suu Ki
Adem Demaçi është bartës i një çështjeje të madhe kombëtare e që kishte përfunduar me pavarësinë e vendit të tij për çka kishte punuar dhe aq shumë e kishte dashur. Fati ka dashur që lufta e Adem Demaçit për t’i mbrojtur të drejtat më elementare të shqiptarëve të Kosovës që qëndrojë mbi 28 vite burg të rëndë. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një veturë me targa italiane është gjetur në Vlorë e…