Adem Demaçi, vigan i popullit shqiptar

15 shkurt 2018 | 10:48

Selatin Novosella

“MENDIME TË ZGJEDHURA PËR ADEM DEMAÇIN” (6)

112. Ibrahim Gashi, rektor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”: Adem Demaçi, disidenti më i rëndësishëm në Jugosllavi

Adem Demaçi, si një intelektual i ri dhe si një nga disidentët më të rëndësishëm në Jugosllavi, përmes Programit të organizatës atdhetare “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, në vitin 1964, kishte shprehur pikëpamjet dhe analizën e tij mbi zhvillimet ndërkombëtare e veçmas mbi mundësinë e zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe të shqiptarëve në Jugosllavi në realitetin kompleks ndërkombëtar të luftës së ftohtë.

113. Ibrahim Rugova, president i Republikës së Kosovës: Adem Demaçi, letrar i harmonisë shqiptare e njerëzore
Adem Demaçi është letrar i harmonisë shqiptare e njerëzore, humanist i madh. Themi kështu, ngase shkrimtari, me veprën e vet “Gjarpinjtë e gjakut” ka dashur të flakë dhe të zhdukë një veti të keqe të popullit të vetëhakmarrjen. Një vizion po ashtu të ndritshëm të romanit e përjetojmë edhe sot kur, sikur në antikën greke e ilire, shqiptarët i falin gjaqet, i mbysin gjarpinjtë e gjakut dhe pajtohen. Sot, gati të gjithë, jemi bërë protagonistë të romanit tuaj.

114. Ibrahim Shala, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës në ekzil: Adem Demaçi në mendimet e tij politike është shumë origjinal dhe i pavarur
Ajo që e bën të veçantë Adem Demaçin nga të tjerët është fakti, se në mendimet e tij politike është shumë origjinal dhe i pavarur, duke mos iu nënshtruar ndikimit të asnjë autoriteti që nuk përputhet me konceptet e tij politike. Adem Demaçi është një jetë të tërë në shërbim të Kosovës. Ai dhe Kosova janë bërë një.

115. Idriz Ajeti, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës: Adem Demaçi ka një përvojë të çmuar politike
Vepra e Adem Demaçit do të shikohet, do të këqyret detyrimisht edhe nga një dimension tjetër, nga pikëpamja e tij shoqërore. Thamë detyrimisht për arsye se Demaçi, sikundër dihet, në rrymë të disa dekadave vepruese të tij ka akumuluar përvojë të çmuar politike, të shumtën duke u dergjur nëpër burgje e kazamate të socializmit jugosllav i cili po ngrehte pretendime të krijonte parajsë tokësore.

116. Idriz Mehmeti, ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: S’kishte forcë që ta ndalte ortekun e nisur nga Adem Demaçi
Ndonëse rinia studentore po kositej nga dora vrastare serbe dhe burgjet po mbusheshin me të rinj e të reja, s’kishte fuqi ta ndalte ortekun e nisur nga bijat dhe bijtë e popullit tonë të frymëzuar nga Baca Adem Demaçi.

117. Idriz Zeqiraj, veprimtar i çështjes kombëtare: Adem Demaçi shtroi kërkesa largpamëse në organizatën “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”
Baca Adem, duke qenë i njohur me kërkesat e organizatës tuaj, “Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, e para organizatë aq numerike në Kosovë, unë me shokë shtruam kërkesat në rrugë legale, publike: Flamurin kombëtar, Universitetin e Prishtinës, Autonomi për Kosovën – me aludimin e hapur për Republikë dhe për bashkimin më të ngushtë me Shqipërinë Nënë.

118. Ilmi Ramadani, veprimtar i njohur i çështjes kombëtare: Adem Demaçi thërriste për çlirim dhe bashkim kombëtar
Adem Demaçin nuk e njoha nga larg, as nëpërmjet të tretit, po nga afër, ballafaqas. Nuk e njoha, si shumica, pas vuajtjes së burgjeve, por me kohë, atëherë kur thërriste që t’i bashkoheshim në luftën e drejtë për liri, për çlirim e bashkimin kombëtar.

119. Imer Xhemail Lladrovci, veprimtar i çështjes kombëtare: Adem Demaçi refuzon anëtarësimin në Lidhjen e Komunistëve të Jugosllavisë
Intelektualit Adem Demaçi, si pothuajse të gjithë intelektualëve të rinj kosovarë në vitet e ‘50-ta, i propozohet të bëhet anëtar i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë. Ndryshe nga të tjerët që donin të bënin karrierë profesionale dhe politike, Adem Demaçi refuzoi të bëhet anëtar i kësaj partie.

120. Imzot Nikë Prela, kryeipeshk i Ipeshkëvisë së Kosovës: Adem Demaçi, Krishti i shqiptarëve
A e keni parë ju Krishtin ndonjëherë? Ja, ky burrë, Adem Demaçi, është Krishti vetë! Çka ka bërë Krishti më tepër se ky? 28 vjet në burg i mbajti ky burrë. Të numërosh deri në 28 është shumë, e jo më 28 vite t’i mbash burg!

121. Isa Vatovci, gazetar: Adem Demaçi tha: “I kemi shumë borxh Esat Mekulit”
Në sesionin letrar “Vepra letrare e Adem Demaçit”, mbajtur më 18 dhjetor 2012, Adem Demaçi, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, duke folur për poetin Esat Mekuli, tha: “Është e turpshme që kaq pak po bëhet për të kujtuar kontributin e madh të Esat Mekulit për poezinë shqipe dhe kulturën tonë. Mekulit i kemi shumë borxh dhe ne po e shoh se nuk jemi të gatshëm për t’i kthyer ato borxhe”.

122. Isak Shema, profesor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”: Adem Demaçi, shkrimtar i shquar i letërsisë shqipe
Adem Demaçi është shkrimtar i shquar i letërsisë bashkëkohore shqipe. Krahas veprimtarisë patriotike shumëvjeçare, në kushte shumë të vështira, i burgosur dhe i anatemuar, është marrë në vazhdimësi me krijimtarinë letrare.

123. Ismail Bahtiri: Adem Demaçi, fanar drite
Adem Demaçi është njeriu i paqes, i luftës dhe i penës. Ai është simbol kombëtar, fanar drite dhe nderi për historinë e popullit tonë. Është shembull për brezat se çfarë mund të bëjë njeriu për Atdheun.

124. Ismail Gashi, veprimtar i çështjes kombëtare: Për Adem Demaçin duhet shkruar vepra të veçanta për shumë fusha të angazhimeve të tij
Për Adem Demaçin duhet të shkruhen apo mbetet obligim i së ardhmes, të bëhen shkrime të gjera analitike, të shkruhen vepra të ndara për Adem Demaçin si veprimtar atdhetar dhe i burgosur politik, për Demaçin si letrar, romansier dhe tregimtar, për Adem Demaçin si gazetar, publicist, analist dhe personalitet politik dhe publik.

125. Ismail Kadare, shkrimtar: Adem Demaçi, shembull i lirisë
Ju, i dashur Adem, jeni shembull për të gjithë intelektualët shqiptarë e evropianë. Ju jeni shembull i lirisë, për të cilën sot flitet aq shumë, e për të cilën për fat të keq bëhet aq pak. Por, nëpërmjet akteve si ky Juaji, liria e fiton kuptimin e saj.

126. Ismail Kastrati, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës: UDBA dhe Komiteti ishin të sigurt vetëm kur Adem Demaçi ishte prapa grilave
Adem Demaçi, ndonëse i kishte vuajtur 13 vite burg, përsëri Komiteti dhe UDB-ja e ndienin më të sigurt vetëm kur ai ishte prapa grilave. Në gjykimin e tretë, së bashku me Demaçin, në vitin 1975, u përfshinë edhe këta veprimtarë: Skënder Kastrati, Hasan Dërmaku, Rexhep Mala, Hetem Bajrami, Osman Dumoshi, Isa Kastrati, Sami Dërmaku, Selatin Novosella, Xhavit Dërmaku, Ilaz Pireva, Fatmir Salihu, Sherif Masurica, Zijadin Spahiu, Ahmet Hoti, Nijazi Korça, Irfan Shaqiri, Ilmi Ramadani dhe Nazim Shurdhani.

127. Ismail Syla, shkrimtar: Adem Demaçi komunikon me lexuesin në frymën e dialektikës
Në shkrimet, deklaratat dhe intervistat e tij Adem Demaçi, ndonjëherë, i korrigjon deklaratat e mëparshme, pa lënë aspak përshtypjen e lëvizjes joparimore. Në përshtatjen me frymën dialektike të ecurisë së dukurive dhe personave, Demaçi e përshtat edhe mendimin pa rënë në kundërthënie.

128. Ismet Hajrullahu, profesor në Kolegjin “Iliria” në Prishtinë: Adem Demaçi, në vitet e ‘90-ta propozoi krijimin e Këshillit Kombëtar
Adem Demaçi, me kohë, e dha sinjalin e alarmit për rrezikun që i kanosej çështjes kombëtare nga konfuzioni i programeve të partive politike në Kosovë gjatë viteve të ‘90-ta të shekullit që lamë pas. Për këtë qëllim Demaçi propozoi shkrirjen e tyre dhe krijimin e një Këshilli Kombëtar, me një program të vetëm për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

129. Ismet Hamiti, drejtor i Postë – Telekomit të Kosovës: Sakrifica e Adem Demaçit frymëzoi dhe bashkoi popullin
Sakrifica e Adem Demaçit frymëzoi dhe bashkoi tërë popullin tonë rreth një qëllimi të madh që ishte çlirimi nga robëria jugosllave. Demaçi dhe Mendela, këto dy personalitete të rralla, sakrifikuan për një ideal të madh. Por, realizimin e idealeve të mëdha e bëjnë shoqëritë e jo individët.

130. Ismet Rashiti, veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare: Adem Demaçi, personalitet i madh i popullit shqiptar
Në Gjenevë, më 20 gusht 1983, është organizuar një Orë letrare kushtuar Adem Demaçit, në të cilën, përveç tjerash, është theksuar se kjo Orë letrare i kushtohet personalitetit të madh shqiptar, shkrimtarit dhe patriotit të shquar, Aden Demaçit, i cili dekada me radhë po dergjet në burgjet jugosllave për të drejta dhe liri kombëtare të popullit shqiptar në Jugosllavi.

131. Ismet Salihu, profesor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”: Adem Demaçi, vigan i popullit shqiptar
Vigani, i cili, në tunelin e gjatë dhe të errët të robërisë shekullore të shqiptarëve të Kosovës, që reflektonte lirinë është Adem Demaçi.

132. Ismet Sylejmani, veprimtar i çështjes kombëtare: Adem Demaçi u frymëzua nga qëndrimi burrëror i Ramiz Cërnicës
Kush e ka frymëzuar Adem Demaçin për ta themeluar organizatën “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” më shumë se sa qëndrimi burrëror i tribunit të kombit, Ramiz Cërnica: Me Serbinë – JO! Me Shqipërinë – PO!

133. Isuf Sherifi, veprimtar i çështjes kombëtare: Është e drejtë që Mendela të quhet Demaçi i Afrikës së Jugut
Nëse vlerësojmë angazhimet politike, nuk ka se përse të thuhet që Demaçi na qenka Mendela i Kosovës, kur e njëjta mund të vlejë edhe për Mendelën, pra, Mendela, njëkohësisht, mund të ketë qenë Demaçi i Afrikës së Jugut.

134. Izber Hoti, punëtor Shkencor i Institutit të Historisë së Kosovës “Ali Hadri”:
Biografia e Adem Demaçit ndër më të veçantat
Biografia e Adem Demaçit nuk mund të kompletohet pa shkrimet e t’ia letrare dhe publicistike, ndërsa këto nuk mund të trajtohen, shqyrtohen e kapërcehen pa marrë në shënjestër edhe rrafshin historik.

135. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës: Adem Demaçi çdo gjë e bënë për popullin dhe Atdheun
Çdo shqiptar i cili mendon, flet e punon shqip, duhet ta dijë se Adem Demaçi, si dje, ashtu edhe sot, çdo gjë e ka bërë dhe e bënë, për popullin dhe Atdheun.

136. James Pettifer, historian: Adem Demaçi i shpalli luftë të hapur Jugosllavisë në vitin 1964
Organizata e Adem Demaçit quhej “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” dhe organizonte veprimtarinë klandestine për larinë e Kosovës. Në prill të vitit 1964 nisi lufta e hapur kundër Jugosllavisë, kur flamuri shqiptar kuq e zi ilegal u shpalos në mbarë Kosovën.

137. Jetlir Zyberaj, gazetar: 53 njohjet e para të pranimit të pavarësisë së Kosovës, Adem Demaçi i vlerëson si themel i shtetësisë së Kosovës
Simboli i rezistencës kombëtare shqiptare, Adem Demaçi, vitin 2008 e ka cilësuar vit të suksesit të madh për Kosovën, për faktin se këtë vit u shpall pavarësia e saj, e cila është njohur nga 53 shtetet kryesore të botës. Adem Demaçi këto njohje i vlerësuar si themel të pavarësisë së Republikës së Kosovës.

138. Jonuz Fetahaj, shkrimtar: Adem Demaçi eci ballëhapur kah ardhmëria
Adem Demaçi me stoicizmin e tij diti të ec ballëhapur kah ardhmëria tok me popullin e vet. Prandaj, emri dhe mbiemri i tij gjithmonë do të shkruhen me shkronja të Mëdha dhe kurrë fjalia e tij nuk mund të ketë pikë e presë, sepse shenjat e Pikësimit për këtë Kolos të kombit kurrë nuk kanë ekzistuar në Gramatikën e Jetës së tij…

139. Jusuf Buxhovi, historian: Adem Demaçi nga irredentisti tek militanti i pavarësisë së Kosovës
Në galerinë e figurave të rëndësishme të lëvizjes kombëtare të Kosovës për çlirim nga pushtuesit serbo-jugosllav, Adem Demaçi, mbetet i veçantë për faktin se në të shfaqet si irredentist për të përfunduar si militant i pavarësisë së Kosovës.

140. Jusuf Gërvalla, veprimtar i shquar i çështjes kombëtare: Adem Demaçi, shkrimtar i terrorizuar
Një fat të vështirë, për të qenë i terrorizuar edhe fizikisht, por edhe për të rënë në harresë si shkrimtar, e ka pasur hise patrioti dhe revolucionari i madh shqiptar në kohën e pas Luftës së Dytë Botërore – Adem Demaçi.

141. Kadri Kryeziu, njëri prej organizatorëve të demonstratave të vitit 1981: Adem Demaçi, frymëzues i përhershëm i lëvizjes kombëtare
Sikurse më 1974, ashtu edhe në vitin 1978, ka pasur shumë njerëz tanë në burgjet jugosllave, që burgoseshin vetëm pse e nginin zërin kundër padrejtësive, në mesin e të cilëve ishte edhe frymëzuesi i përhershëm i lëvizjes politike dhe kombëtare në Kosovë, Adem Demaçi.

142. Kadri Rexhaj, veprimtar i çështjes kombëtare: Drama “Politika dhe pushka” e Adem Demaçit është vepra më autobiografike e Demaçit
Drama “Politika dhe pushka” e shkrimtarit Adem Demaçi është vepër e veçantë e letërsisë shqipe. Nëse jo kryevepër, në saje të temës, idesë, porosisë dhe vlerave letrare, padyshim, kjo dramë do të mbetet vepra më autobiografike dhe më e çmuar e autorit të saj. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka pritur sot…