Ademi: Misioni i gazetarëve sportiv është i shenjtë

02 korrik 2020 | 15:21

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i ka lartësuar gazetarët e sportit në vend, duke e quajtur të shenjtë punën e tyre, në Ditën Botërore të Gazetarëve të Sportit.

Dita Ndërkombëtare e Gazetarëve të Sportit shënohet më 2 korrik për t’i kremtuar shërbimet e gazetarëve të sportit dhe kontributin e tyre për promovimin dhe mirëqenien e sportit.

Kjo ditë është shënuar si ditë zyrtare për t’i kujtuar shërbimet e gazetarëve të sportit që prej se Shoqata e Shtypit Sportiv Ndërkombëtar (AIPS) u themelua në vitin 1924.

Shefi i FFK-së, Ademi i ka uruar gazetarët e sportit dhe anëtarët e Shoqatës së Gazetarëve të Sportit në Kosovë për ditën e tyre.

“Të dashur drejtues të SHGSK-së, të dashur gazetarë sportivë të Kosovës, me rastin e Ditës Botërore të Gazetarëve Sportivë kam nderin dhe kënaqësinë që në emrin tim, të KE-së së FFK-së dhe tërë komunitetit të futbollit të ju përcjell urimet më të sinqerta, duke përfshirë këtu edhe doajenët e gazetarisë sportive që tashmë e gëzojnë pensionimin. Në muajt e ardhshëm na presin ndeshje të rëndësishme dhe sigurisht se ashtu sikurse ne dhe tifozët Dardanë, edhe ju i prisni me padurim sfidat e reja të Kombëtares së Kosovës, që tashmë është shndërruar në emblemë krenarie për shtetit tonë”, shkruhet në letërurimin e Ademit.

Ai u ka premtuar atyre, siç ka thënë, se federata do të jetë gjithmonë e hapur për ta dhe se do t’u dalë në ndihmë kurdo.

“FFK gjithmonë ka qenë e hapur dhe e afërt për gazetarët sportivë. Të njëjtën rrugë do ta ndjekë edhe në të ardhmen, duke i ndihmuar ata që të jenë afër Kombëtares së Kosovës kudo që ajo paraqitet. Gazetarët sportivë dhe mediet ku ata i pasqyrojnë të arriturat por edhe brengat e futbollit, janë një segment tejet i rëndësishëm për informimin e opinionit dhe vlerë e rëndësishme e kësaj shoqërie.”

Tutje në letrën e tij shkruhet: “Misioni i gazetarëve sportivë është i shenjtë, pasi lartëson të arriturat e sportistëve dhe u jep atyre motiv shtesë për punë dhe suksese të reja. Në të njëjtën kohë edhe ngritja e shqetësimeve dhe e kritikave me vend na ndihmon që sporti të ecë në rrugën e duhur të zhvillimit. Andaj, në këtë ditë të veçantë, edhe një herë ju përgëzoj të gjithë juve gazetarë të nderuar sportivë, duke ju inkurajuar që të jeni sa më pozitivë dhe profesional në ngjarjet sportive, e të vazhdojmë me idenë dhe praktikat ‘Sporti i pari, pastaj të tjerat’. Uroj të vazhdoni të palodhur punën tuaj në këtë periudhë të vështirë për shkak të pandemisë, me shpresën që edhe këtë sfidë do ta kalojmë pa pasoja dhe duke e përkrahur njëri-tjetrin”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lewis Hamilton kërkon një rrogë prej 40 milionë stërlinash në…