
Afaristi Ramush Ahmetaj: Ditët kalojnë shpejt, por kujtimi për bacën Hilmi mbetet i përjetshëm
Sot në Kompleksin memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, u nderua jeta dhe vepra madhështore e Hilmi (Nurë) Haradinaj në përvjetorin e ndarjes nga jeta.
Ish luftëtari i UÇK-së, afaristi Ramush Ahmetaj, bashkë me shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, bashkë me familjen Haradinaj, fshatin Gllogjan dhe miqtë e shumtë të familjes Haradinaj, e kujtuan për të mos e harruar kurrë Hilmi Haradinaj.
“Hilmi Haradinaj ishte veprimtar i madh i çështjes kombëtare, baba i katër gjeneralëve dhe i tre heronjve, të cilët bënë shumë për lirinë e Kosovës dhe për unifikimin e trojeve shqiptare në një platformë integruese që përbën fuqi ekonomike, politike dhe ushtarake në ballkan dhe më gjërë në shtetet e Evropës. Ditët kalojnë shpejt, por kujtimi për bacën Hilmi mbetet i përjetshëm. Në ditët më të vështira të Kosovës, Hilmi Haradinaj ishte figura më unifikuese për të gjith ne, por edhe për të tjerët që besonin dhe mendonin në opsionin paqësor të zgjedhjes së statusit të Kosovës”, ka shkruar Ahmetaj në Facebook.
Ai ka theksuar se baca Hilmi e përfaqësonte burrin tipik të Dukagjinit, burrin e kuvendeve e të tubimeve të mëdha, ku merreshin vendime për fatin e kombit.
“Ai në të gjitha rastet ishte i prerë dhe i vendosur, ai gjithmonë na thoshte: “Deri në lirinë e plotë nuk do të ndalemi, pa marrë parasysh çmimin e lirisë, lirinë do ta fitojmë”. Fjala e bacës Hilmi kishte peshë të madhe tek të gjithë luftëtarët. Ne e nderuam si prind edhe në luftë edhe në liri. Ishte shtylla e familjes Haradinaj, përsonaliteti i tij simbolizonte forcën dhe qëndresën, urtësinë dhe burrërinë, njeriun besnik të familjes dhe brezit të luftëtarve që triumfuan mbi forcat serbe. Edhe më tutje baca Hilmi do të mbetet frymëzim për ne. Gjithmonë do të kujtojmë, për të mos të harruar kurrë. Lavdi!”, ka shkruar afaristi Ahmetaj.