Afaristi shqiptar Isak Neziri, të rinjve: Edhe Kosova është vend i mundësive, liberalizimi i vizave nuk mundëson punësim në zonën Shengen

18 tetor 2023 | 14:40

Afaristi shqiptar, Isak Neziri  u ka bërë thirrje të rinjve nga Kosova por dhe qytetarëve të saj se liberalizimi i vizave nuk mundëson punësim në zonën schengen por gjithsesi është një mundësi e mirë që të rinjtë realitetin e Evropës ta shohin për së afërmi dhe të binden që edhe Kosovën mund ta bëjmë vend të mundësive. “Është koha që t’i kthehemi Kosovës, sikur atëherë me pushkë për të mbrojtur nga pushtimi, sot për ta zhvilluar ekonomikisht e për ta bërë konkurrente në tregun evropian”, ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook”, afaristi nga Kosova që jeton në Munih të Gjermanisë, Isak Neziri.

“Nga përvoja ime si afarist në Gjermani, nga qindra të rinj kosovarë që kam punësuar dhe bisedat e lira që kemi zhvilluar për Kosovën dhe mundësitë për zhvillim, e kam parë që të rinjtë e kanë kuptuar që sa më shumë që vijnë në Evropë aq më shumë e kuptojnë që e ardhmja e tyre është Kosova.

Fokusi jonë si diasporë dhe afaristë duhet të jetë ngritja profesionale e të rinjve, përgatitje e tyre për tregun e punës, konkurrent me tregun evropian, zhvillimi i shkathtësive të punës dhe pastaj tërë atë background dhe kapital të fituar në diasporë ta investojmë në Kosovë, në hapjen e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Pra, gjithë këtë përvojë që marrim në Evropë, gjithë atë kapital dhe rrjet të kooperimit në biznes ta kthejmë në mundësi për zhvillim të Kosovës, përmes investimeve që duhet të bëjmë secili nga ne në vendlindjen tonë.

Liberalizimi i vizave nuk mundëson punësim në zonën schengen por gjithsesi është një mundësi e mirë që të rinjtë realitetin e Evropës ta shohin për së afërmi dhe të binden që edhe Kosovën mund ta bëjmë vend të mundësive. Kjo sigurisht kërkon mund dhe sakrificë por këtë ia kemi borxh secili nga ne.

Është koha që t’i kthehemi Kosovës, dikur me pushkë për të mbrojtur nga pushtimi, sot për ta zhvilluar ekonomikisht e për ta bërë konkurrente në tregun evropian. Bashkë!”, ka shkruar Neziri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Eileen Devitt ka marrë detyrën si drejtoreshë e misionit të…