Afati po skadon, Trump sinjalizon fundin e armëpushimit me Iranin
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump ka bërë të ditur se do të shqyrtojë mundësinë e vazhdimit të armëpushimit me Iran gjatë mbrëmjes së të mërkurës, kur edhe përfundon afati aktual, por ka sinjalizuar se gjasat për një zgjatje janë të vogla në mungesë të një marrëveshjeje.
Në një intervistë telefonike për Bloomberg, Trump u shpreh qartë.
“Është shumë e pamundur që unë ta zgjasja atë”, duke lënë të kuptohet se administrata e tij nuk është e gatshme të vazhdojë armëpushimin pa rezultate konkrete.
Armëpushimi, i cili nisi më 7 prill dhe ishte paraparë të zgjasë dy javë, po i afrohet fundit në një klimë të paqartë diplomatike. Megjithatë, Trump theksoi se nuk do të nxitohet drejt një marrëveshjeje të pafavorshme.
“Kemi gjithë kohën e botës në dispozicion”, deklaroi ai.
I pyetur nëse pret rifillimin e menjëhershëm të luftimeve në rast se nuk arrihet marrëveshje, presidenti amerikan u përgjigj se kjo mbetet një mundësi reale.
“Nëse nuk ka marrëveshje, unë sigurisht që do të prisja”.
Deklaratat e fundit vijnë pas qëndrimeve të paqarta që Trump ka mbajtur më herët lidhur me këtë çështje. Gjatë një seance me gazetarët javën e kaluar, ai u pyet disa herë për mundësinë e zgjatjes së armëpushimit, duke dhënë përgjigje të ndryshme, çka ka shtuar pasigurinë rreth drejtimit të politikës së jashtme amerikane në këtë rast.



