AFRIM ABAZI U VRA NË TORTURË DHE E HODHËN NGA NDËRTESA E SIGURIMIT
Për tetë ditë me radhë, prej 11 deri më 19 mars, nëpër qelitë dhe kasaphanat e UDB-së, kreshniku me zemër shkëmbi, Heroi i Kombit, Afrim Abazi, torturohet dhe mbytet barbarisht dhe, si zakon që e kishin kriminelët pushtues dhe tradhtarët, e hedhin nga dritarja, nga kati i pestë i ndërtesës së Policisë në Ferizaj, e zyrtarisht deklarojnë se kishte bërë vetëvrasje!
Afrim Abazi u vra në tortura, në vitin 1982, një vit pas vitit të madh e të lavdishëm të heroizmit masiv popullor të ngjarjeve të vitit 1981!
Mbytja në torturë e heroit të kombit Afrim Abazi, në qendër të qytetit të Ferizajt, aty afër hekurudhës ku një vit më parë ishte zhvilluar një nga demonstratat më të mëdha të Kosovës, vinte si një lajm i kobshëm dhe rritej dhembja kombëtare!
Rënia e këtij djali atëherë për rininë heroike të Kosovës ishte kushtrim e thirrje e tokës nënë që t’i dalim zot Atdheut me çdo kusht e me çdo çmim!
Pra, që ta vazhdojmë luftën për liri e të mos e ndalim kurrë e për asnjë çast!
Afrim Abazi ishte sinjali i kobshëm për pushtuesit dhe tradhtarët!
Ishte lajmëtari më real e më i drejtpërdrejt, se uragani popullor i filluar një vit më parë mund të mos ishte i përmasave masive sikur ishte viti 1981, por nuk do të ndalej e do të vazhdonte sikur edhe kurrë nuk u ndal deri te fillimi i luftës frontale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!
Pjesë nga fjalimi i mbajtur më 19 Mars 2016, në Sallën e Kuqe në Prishtinë!




