Agim Ademi paralajmëron kombëtaren: S’duhet të jemi euforik, ta japim 120 përqindëshin
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka paralajmëruar futbollistët e kombëtares që të qëndrojnë me këmbë në tokë në duelin e gjysmëfinales së “play-off”-it për kualifikim në Kupën e Botës kundër Sllovakisë.
Ademi ka thënë se atmosfera në grup një ditë para duelit, është e mirë. “Jemi të hendikepuar pa dy super-futbollistë, pa kapitenin (Amir Rrahmanin) dhe Leon Avdullahun, por shpresoj që edhe zëvendësuesit do të jenë po aq të përkushtuar dhe në nivel për këtë ndeshje. Çfarë është e mira e kësaj ndeshje e shoh që secili futbollist është mentalisht i përgatitur për këtë ndeshje dhe nuk janë euforik, ashtu siç nuk duhet të jenë, sepse tashmë jemi një skuadër e pjekur”, ka thënë Ademi.
Ai ka thënë se i ka lutur futbollistët që të japin 120 përqindëshin e tyre në sfidën e së enjtes mbrëma.
“Ne jemi të fokusuar vetëm te fusha dhe këtë herë i kam lutur futbollistët, u kam thënë atyre dhe po e them këtë publikisht: secilën pjesë na duhet ta bëjmë 120 për qind që t’i tejkalojmë të gjitha sifdat në fushë dhe në fund të dalim fitimtar sepse është një rast i madh që na ka ardhur e këtë shancë nuk duhet ta lëshojmë”, ka thënë Ademi.
I pari i FFK-së nuk do që Vedat Muriqi, sulmuesi kryesor i kombëtares, të pensionohet pa e dërguar Kosovën së paku në një Botëror e në një Evropian.
“Dëshira jonë e madhe është që të bëjmë këtë hap, të shkojmë në Kupën e Botës e pastaj edhe në Evropian. Dëshira ime është që Vedati të jetë në këto dy kompeticione, por sigurisht që ai është aq i ndërgjegjshëm sa do që t’ua lirojë vendin gjeneratës së re në kombëtare”, ka thënë Ademi.



