Agim Bahtiri: ‘Kosova nuk është në shitje’, akuza ndaj LDK-së
Deputeti i Lëvizja Vetëvendosje, Agim Bahtiri, ka reaguar pas dështimit të negociatave për zgjedhjen e Presidentit ndërmjet Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku, duke hedhur akuza në drejtim të Lidhja Demokratike e Kosovës. Ai ka deklaruar se “Kosova nuk është në shitje”, ndërsa ka kritikuar qëndrimin e LDK-së në këto negociata.
Reagimi i plotë i Bahtirit:
“KOSOVA NUK ËSHTË NË SHITJE!
As nuk do të jetë KURRË!
Të nderuar qytetarë,
Sot u vërtetua se LDK-ja e Lumir Abdixhikut ka mbetur peng i mentalitetit të vjetër. Megjithëse u ofruam ofertat më serioze, duke përfshirë 4 ministri dhe Zëvendëskryeministrin e parë, ose si alternativë Kryetarin e Kuvendit, ata refuzuan. Kjo dëshmon se LDK-ja nuk kërkon bashkëpunim për shtetin, por kërkon pazare si para një dekade.
Mospranimi i kësaj oferte shumë serioze dëshmon se ata nuk kanë qëllim që të qeverisin vendin cep më cep, por qëllimi i tyre ende mbetet që të jenë bashkë me Listën Serbe për ndarjen e Kosovës. Kjo u dëshmua edhe të premten, kur opozita e ftoi Listën Serbe që të jetë e pranishme në sallë, për të mos pasur mundësi që Lëvizja Vetëvendosje me partnerët e vet, t’i ketë dy të tretat e votave në Kuvend, për të zgjedhur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, sepse ata duan ta mbajnë peng edhe Gjykatën Kushtetuese.
Duhet ta kuptoni mirë: Albin Kurti nuk është si ish-kolegët tuaj me të cilët bënit marrëveshje brenda natës, ku ‘kumbarë’ e kishit gjithmonë Radojçiqin për të siguruar karriget tuaja.
Ne jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje sa herë që duhet, por marrëveshje në dëm të Kosovës nuk bëjmë kurrë. Ne nuk jemi si ju!
I bëj thirrje anëtarësisë së LDK-së së Ibrahim Rugovës: Ngrihuni dhe çlirohuni nga këta uzurpatorë që Kosovën e kanë pikën e fundit të rendit të ditës. Ne nuk jemi si ju. Shteti nuk është në shitje!”



