Agim Shahini: Kriza politike po fundos ekonominë, kërkojmë veprim urgjent!

05 maj 2025 | 13:05

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka shprehur shqetësimin e thellë dhe indinjatën të plotë ndaj dështimit të njëmbëdhjetë me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe formimin e institucioneve qeverisëse.

Sipas Shahinit, kjo qasje e papërgjegjshme e partive politike dhe deputetëve po dëmton rëndë jo vetëm imazhin e Republikës së Kosovës brenda dhe jashtë vendit, por po krijon edhe pasiguri të thellë institucionale dhe ekonomike.

“Bizneset po përballen me pasiguri të madhe, mungesë të stabilitetit politik dhe pamundësi për të planifikuar e zhvilluar aktivitetet e tyre, ndërkohë që investitorët e huaj po hezitojnë gjithnjë e më shumë të angazhohen në tregun tonë. Kosova nuk ka luksin të humbasë kohë. Kjo krizë e zgjatur politike është barrë e rëndë për ekonominë, për qytetarët dhe për të ardhmen evropiane të vendit. Deputetët dhe liderët politikë duhet të marrin përgjegjësitë e tyre kushtetuese dhe morale, të tejkalojnë interesat partiake dhe të veprojnë në interes të shtetit dhe të qytetarëve”, ka thënë Shahini.

Ai ka thënë se AKB-ja kërkon me urgjencë konstituimin e institucioneve dhe kthimin e vendit në binarët e stabilitetit dhe zhvillimit. “Mosveprimi i mëtejshëm do të ketë pasoja të pakthyeshme për ekonominë dhe të ardhmen e Kosovës si shtet funksional”, ka pohuar Shahini.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) do të mblidhen…