Agjencia Kadastrale e Kosovës nënshkruan dy marrëveshje me homologët maqedonas

13 shkurt 2020 | 18:20

Agjencia Kadastrale e Kosovës, si organ kompetent në fushën e kadastrës, gjeodezisë dhe hartografisë, si dhe me përgjegjësi për mirëmbajtjen e regjistrit të të drejtave të pronave të paluajtshme dhe për koordinimin e infrastrukturës kombëtare për informacione hapësinore, është pjesëmarrëse e nismave të ndryshme regjionale dhe ndërkombëtare brenda fushave të cilat i mbulon.

Po ashtu, AKK-ja është edhe në zgjerim të vazhdueshëm të rrjetit të bashkëpunëtorëve si me institucione publike brenda Republikës së Kosovës, po ashtu edhe me institucionet homologe nga shtetet e regjionit dhe ato anëtare të BE-së.

Ndërsa me qëllim të thellimit të bashkëpunimit në fushat e interesit të përbashkët, të enjten në Agjencinë Kadastrale të Kosovës është mbajtur edhe një takim pune mes drejtorit ekzekutiv të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti dhe drejtorit ekzekutiv të Agjencisë për Kadastër të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Boris Tunxhev.

Në takim, dy prijësit e institucioneve të sipërpërmendura, të shoqëruar edhe nga bashkëpunëtorët e tyre nga fusha e kadastrës, gjeodezisë, hartografisë, teknologjisë së informacionit dhe nga ekspertë ligjorë, pos që kanë prezantuar aktivitetet, projektet e sfidat e institucioneve respektive, kanë nënshkruar edhe dy marrëveshje, respektivisht një Marrëveshje Bashkëpunimi dhe një Marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave nga rrjetet permanente gjeodezike KOPOS dhe MAKPOS, respektivisht shfrytëzimin e pikave të rrjetit permanent të Republikës së Kosovës (KOPOS) nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe shfrytëzimin e pikave të rrjetit permanent të Republikës së Maqedonisë së Veriut (MAKPOS) nga Republika e Kosovës, që do të mundësonte mbulueshmërinë me sinjal për aktivitete gjeodezike që kryhen në zonat e brezit kufitar mes dy shteteve.

Ndërsa sa i përket marrëveshjes për bashkëpunim, e njëjta specifikon fushat ku do të mund të thellohej bashkëpunimi mes institucioneve, si shkëmbimi i përvojave e ekspertizave, ofrimi i përkrahjes në fusha profesionale, harmonizimi i të dhënave gjeohapësinore e ngjashëm.

Menjëherë pas nënshkrimit të këtyre dy marrëveshjeve, ekspertët e Agjencisë Kadastrale të Kosovës mbajtën edhe prezantimin e dy projekteve të cilat ajo ka implementuar me sukses, ndërsa në shtetin fqinj pritet të implementohen në të ardhmen si Sistemi i Unifikuar i Adresave dhe përdorimi i fluturakes pa pilot (DRON) për matje kadastrale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vëllaznimi është fitues i Kupës në Ligën e Parë, pasi…