Agjenti i fjetur i Sigurimit që dëshmoi kundër Kadri Hazbiut

14 nëntor 2021 | 02:09

Në vitin 1983, gjatë procesit gjyqësor ndaj ish-ministrave Kadri Hazbiu e Feçorr Shehu, një prej dëshmitarëve që Sigurimi i Shtetit përdori për ti akuzuar të pandehurit si të lidhur me agjenturat e huaja, dhe si bashkëpunues në një komplot për të vrarë Enver Hoxhën e marrë pushtetin, do të ishte Halit Bajrami – një spiun i konservuar i Sigurimit të Shtetit.

Historia e tij ishte krejt e panjohur. Në vitin 1950 Halit Bajrami mbante postin e shefit të sigurimit në një divizion ushtrie, kur krejt papritur ishte fjalosur me Ministrin e Brendshëm, Mehmet Shehu.

Më pas, nga frika e arrestimit planifikon të largohet jashtë shtetit. Bie dakord me një mik tijin, të quajtur Sabaudin Haznedari dhe të dy arrijnë ta kalojnë kufirin me Greqinë. Një vit më pas, më 1951, Halit Bajrami instalohet përfundimisht në Zelandën e Re. Nga Sigurimi i Shtetit rekrutohet në vitin 1958, gjatë një vizite në Europë. Sipas rrëfimit të Halit Bajramit, më 1958 ai kishte bërë edhe një vizitë edhe në Tiranë, ku ishte takuar me Ministrin e Brendshëm, Kadri Hazbiu. Ministri i kishte kërkuar që kthehej mbrapsht në Zelandën e Re dhe se ndihmën atdheut të vet mund t’ja jepte në momentin kur ajo do ti kërkohej.

Në vijim Halit Bajrami rrëfen se pasi ishte rekrutuar nga Sigurimi i Shtetit të bënte rolin e një agjenti të fjetur, ishte kthyer sërish në Zelandën e Re, ku kishte mundur të hapte një ofiçinë të riparimit të makinave.

Agjenti i konservuar në Zelandën e Re do të zgjohej 20 e ca vite më pas, më 1981, nga një telefonatë e mikut të tij, Sabaudin Haznedari.

Sipas rrëfimit të tij në gjyq, në Itali të dy ishin vënë në shërbim të një agjenti jugosllav të quajtur Peter Paviç, që po përgatiste të fuste në Shqipëri një grup të armatosur me qëllim për të vrarë Enver Hoxhën.

Në gjyq Halit Bajrami rrëfen se grupi i armatosur që do të infiltrohej në Shqipëri, kishte në përbërje edhe Xhevdet Mustafën, Sabaudin Haznedarin dhe Fadil Kacelin. Më tej, Halit Bajrami përshkruan takimin e parë me zbuluesin jugosllav Peter Paviç, sigurisht këtë radhë duke rrëfyer edhe një bisedë që implikonte në këtë aferë konspirative – Kadri Hazbiun.

Halit Bajrami, zbarkon në bregdetin e Divjakës më 25 shtator 1982 bashkë me Sabaudin Haznedarin dhe Xhevdet Mustafën, por bllokohen në stacionin e trenit të Rrogozhinës.

Të dhënat e grumbulluara më pas thoshin se ata donin të shkonin në Tiranë, por qëllimi i vërtetë se përse, nuk është zbardhur asnjëherë.

Përgjatë tentativës për të shkuar në Tiranë, grupi la pas një numër kufomash, përfshirë tre punonjës policie, një ushtarak dhe disa civilë.

Xhevdet Mustafa dhe Sabaudin Haznedari, vriten. Halit Bajrami i dorëzohet policisë.

Pak orë pas arrestimit, njeriu i parë që do e merrte në pyetje do të ishte Dilaver Bengasi, në këtë kohë Kryetari i hetuesisë së Tiranës.

Sipas Bengasit, në dëshmitë që ai mori, Halit Bajrami rrëfeu gjithë historinë e grupit të armatosur, formimin, qëllimin dhe inkursionin e përgjakur.

Halit Bajrami e kishte bërë punën e vet si agjent i fjetur. Ai kishte lajmëruar Sigurimin e Shtetit në kohën e duhur për mbërritjen e grupit të armatosur dhe vendin ku do të zbarkonte.

Porse pas arrestimit, në vitin 1982, të Kadri Hazbiut dhe Feçorr Shehut, Sigurimi i Shtetit do i kërkonte edhe një tjetër nder Halit Bajramit.

Në sallën e gjyqit ai duhet të përbaltte Kadri Hazbiun, duke e nxjerrë si një komplotist për vrasjen e Enver Hoxhës dhe marrjen e pushtetit.

Dëshmia e Halit Bajramit e acaron Kadri Hazbiun. Për gati 30 vite ai kishte qenë ustai i këtyre lloj kombinacioneve. Në vitin 1961 ai kishte udhëzuar një spiun grek të quajtur Kosta Fili, të dëshmonte në gjyq se Teme Sejko, Admirali i Flotës Ushtarake ishte agjent grek e të tjera.

Edhe pse në sallën e gjyqit Kadri Hazbiu tha se të gjitha ato që dëshmonte Halit Bajrami në adresë të tij ishin shpifje duke dhënë shpjegime e argumente rast pas rasti, Kryeprokurori Rrapi Mino, në pretencën e tij, zgjedh që kjo dëshmi të bëjë rolin e qershisë mbi tortë.

Edhe në vendimin e gjyqit të lexuar nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Aranit Çela, dëshmia e Halit Bajramit është marrë parasysh.

Sigurisht që gjithçka ishte një megamontim i Sigurimit të Shtetit me qëllim për të shoqëruar, me ca dëshmi e dokumente, ekzekutimet e paravendosura të Kadri Hazbiut dhe Feçorr Shehut.

Manipulimet e Sigurimit të Shtetit janë pohuar edhe nga ish-Kryehetuesi i Tiranës, Dilaver Bengasi.

Dilaver Bengasi, hetuesi që mori në pyetje Halit Bajramin, në dëshminë e parë nuk kishte dëgjuar të përmendej emrin e Kadri Hazbiut.

Po kështu, Bengasi ka pohuar se gjatë hetimit të ngjarjes, nuk kishte vënë re asgjë të dyshimtë në veprimet e ish-ministrit të Mbrojtjes, Kadri Hazbiu. Në një libër tijin ai shkruan se Kadri Hazbiu dhe oficerët e zbulimit e kishin nën kontroll bandën dhe kishin të gjitha të dhënat për qëllimet, kohën e finalizimit të tyre etj. Sipas Bengasit, ishte absurde të mendohej se Kadri Hazbiu ishte inspiruesi i asaj bande.

Po kështu, Bengasi kujton se në dëshminë e parë të tij, Halit  Bajrami kishte përmendur vetëm emrin e Haxhi Lleshit, në këtë kohë Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Sipas Bengasit, përmendja e emrit të Haxhi Lleshit, nuk u vlerësua si implikim. U gjykua se, meqë Sabaudin Haznedari ishte i njohur i Haxhi Lleshit, pasi të dy kishin luftuar në çetën e Dibrës, me trokitjen në shtëpinë e tij, nënkuptonte rënien në besë të tij, me qëllim për të shmangur dhunën që mund të ushtronte ndaj tyre policia apo forcat e tjera të ndjekjes.

Të gjitha këto fakte janë përfshirë në pjesën e tretë të dokumentarit të ciklit Abc/Story të mbështetur në filmimet ekskluzive të gjyqit ndaj Kadri Hazbiut dhe Feçorr Shehut, që do të transmetohet të dielën, në orën 19:45, në televizionin ABC.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) duke folur për konkursin e…