AGK-ja dënon sulmet personale të Dejona Mihalit të LV-së kundër gazetarit Adriatik Kelmendi
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka theksuar se është i shqetësuar me vazhdimin e retorikës së papranueshme nxitëse kundër gazetarëve nga ana e Vetëvendosjes.
AGK-ja dënon fuqishëm sulmin personal dhe familjar, që zyrtarja e kësaj partie politike, Dejona Mihali ka bërë kundër gazetarit, dhe autorit të emisionit ‘Rubikon’, Adriatik Kelmendi.
“Mihali, sikurse zyrtarë të tjerë të LV-së në këtë mënyrë kanë vazhduar me sulme të rënda ndaj gazetarëve dhe medieve, menjëherë pas publikimit të raportit të Reporterëve Pa Kufij, që e rangon Kosovën në vendin e 99-të për lirinë e medias. Reagimet e Vetëvendosjes dhe zyrtarëve të saj kanë nxitur qindra komente me fjalor kërcënues ndaj gazetarëve, mediave dhe AGK-së në tri ditët e fundit. AGK-ja edhe një herë e fton këtë parti politike, që të ndryshojë kursin për minimin e vazhdueshëm të lirisë së medias dhe shprehjes në Kosovë”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Dejona Mihali ka shkruar në “Facebook” se sa herë i referohet dikush LDK-së me ndonjë kërkesë politike, i pari përgjigjet Adriatik Kelmendi i Devollëve. “(Kuptohet pasi që paralelish ka folur PDK për ta, por ky nuk është lajm i ri.) A thua pse vallë? Miqtë e Adriatikut nuk po lënë vend pa thënë se Devollt duan ta kandidojnë për Kryetar Komune z. Kelmendi. Secili mund të mendojë që për Pejën e kanë fjalën. Jo. Aty mbase ja njohin më shumë se sa duhet babain Adriatikut. Devollt duan ta kandidojnë për Prishtinën. Po ende nuk e kanë gjetur saktë partinë. Ose a duan përfundimisht Adriatikun apo Uran Ismajlin”, ka shkruar Mihali në “Facebook”.



