Ahmeti: BIK-u s’ka aplikuar për leje për ndërtimin e xhamisë së madhe në Prishtinë

12 gusht 2019 | 15:46

Vazhdon edhe më tutje zvarritja për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë. Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), për ndërtimin e kësaj xhamie që nga viti 2012 kur është vënë gurthemeli i saj, ende nuk ka aplikuar për leje të ndërtimit të saj.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në një prononcim për “Radio Kosovën” ka bërë me dije se BIK-u ende nuk ka kërkuar leje për të filluar punimet e rreth ndërtimit të kësaj xhamie.

“Bashkësia Islame, ende nuk ka aplikuar për leje, kur të vijnë me aplikim, atëherë e shohim sa është brenda planit, brenda kushteve që u kemi lëshuar, pastaj i kemi obligimet tona ligjore”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se nuk e di se pse Bashkësia Islame nuk ka aplikuar për leje ndërtimi, por ai mendon se shkak i kësaj zvarritjeje mund të jetë ndryshimi i projektit.

“Nuk e di për çfarë arsye nuk ka ardhur aplikimi, a nuk e kanë përfunduar projektin apo e kanë ndryshuar, mbetet të presim!”, është shprehur Ahmeti.

“Radio Kosova” ka provuar të kontaktojë me zyrtarë nga Bashkësia Islame e Kosovës për të mësuar hollësi rreth kësaj çështjeje, por askush nga ky institucion nuk është prononcuar.

Për ndërtimin e Xhamisë së Madhe, në vitin 2013 në konkurs, asnjë projekt nuk kishte zënë vendin e parë, por kishte vetëm vend të dytë dhe tretë. Megjithatë, një kompani fituese që ishte zgjedhur është nga Turqia, por nuk dihen më shumë detaje.

Kjo xhami është paraparë që të ndërtohet në Prishtinë, në lagjen “Ulpiana”, afër Postës së Madhe, në hapësirë prej 81 ari tokë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka kërkuar nga…