Ahmeti: Brenda LDK-së nuk ka klane
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Imri Ahmeti ka deklaruar se çështja e klaneve në LDK është prodhim mediatik dhe prodhim i njerëzve që nuk ia duan të mirën kësaj partie.
Ahmeti duke komentuar zgjedhjet e brendshme në LDK, ka thënë se nuk sheh klane, por sheh dhe inkurajon konkurrencën e lirë në mënyrë që delegatët ta kenë mundësinë e përzgjedhjes së kryetarit.
“Tani a do të jenë a jo zgjedhje demokratike janë hipoteza ose presupozime të njerëzve, do ta shohim me kohë këtë situatë kur të mbahet kuvendi. Për ndryshe sigurisht që njerëzit kanë afërsi mes vete por edhe mund të kenë pikëpamje dikush më të afërta, dikush më të largëta më njëri-tjetrin, por çështja e klaneve është prodhim mediatik dhe është prodhim i njerëzve që nuk ia duan të mirën LDK-së. Unë nuk shoh që ka klane, por unë shoh dhe inkurajoj konkurrencën e lirë të njerëzve, në mënyrë që vërtetë delegatët ta kenë mundësinë e përzgjedhjes së kryetarit”.
Duke komentuar emrat që janë përfolur për kryetar të LDK-së, Ahmeti thotë se të gjithë janë adekuatë për ta drejtuar LDK-në.
“Janë të gjithë adekuat, është çështje tjetër cilin mund ta mbështesim dhe cilin ta votojmë, përndryshe janë të gjithë adekuat…unë angazhohem për një konkurrencë të mirëfilltë dhe angazhohem për mundësi në votimin e kuvendin e përgjithshëm të partisë, do të thotë jam për mundësinë që njerëzit lirshëm të kandidohen dhe gjithë delegatët e kuvendit zgjedhor, ta kenë mundësinë e zgjedhjes të njeriut që do të marrë përsipër përgjithësinë e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka thënë Ahmeti./kp/