Ahmeti heq përkohësisht kushtëzimin e tatimit në pronë për regjistrimin e veturave në Prishtinë

13 gusht 2020 | 17:09

Kreu i Prishtinës Shpend Ahmeti, ka bërë të ditur se nga nesër e deri me 31 gusht është suspenduar kushtëzimi i pagesës së tatimit në pronë për ta paguar taksën e rrugës për regjistrimin e veturave në Komunën e Prishtinës.

“Duke filluar nga nesër e deri me 31 gusht po e suspendojmë kushtëzimin e pagesës së tatimit në pronë për ta paguar taksen e rrugës për regjistrimin e veturave në Komunën tonë”, ka shkruar Ahmeti në profilin e vet në “Facebook”.

 

Shpjegimi më poshtë:

Kur e regjistroni veturën e juaj, ju paguani taksat rrugore në nivelin qendror dhe në Komunën ku e regjistroni veturën. Taksa rrugore në Komunën e Prishtinës është 10 euro.

Për ta paguar taksen rrugore, prej vitit 2011 dhe bazuar në udhëzimin administrativ të Tatimit në Pronë, ju duhet ta paguani tatimin në pronë, që të keni mundësinë ta paguani taksen rrugore. Kjo ka qenë dhe vazhdon të jetë mënyra më efikase për ta mbledhur tatimin në pronë e që është pjesë e rëndësishme për komunën tonë (gati 10 milion euro në vit)

Për shkak të pandemisë, ky kushtëzim po shkakton tollovi dhe radhë të gjata para komunës dhe ankesa të qytetarëve. Mundësia e pagesës online e tatimit në pronë ekziston qe një kohë, por qytetarët nuk po e përdorin.

Për ti shmangur radhët dhe për ta larguar pritjen dhe deri në thjeshtësimin e mëtutjeshëm të pagesave për këtë kushtëzim po e suspendojmë këtë kushtëzim deri me datën 31 gusht kur do ta vlerësojmë prapë. Këtë duhet ta bëjmë çdo muaj për tu siguruar që nuk po dëmtohet buxheti shumë.

Përkundër heqjes së kushtëzimit, tatimi në pronë mbetet si obligim që qytetarët me prona e kanë. Pra, këtë duhet ta paguani sipas ligjeve në fuqi dhe nuk hiqet. Njëjtë as taksa rrugore nuk hiqet por që tani është më e thjeshtë dhe po shpresojmë se të njëjtën shumë shpejtë mund ta paguani në të gjitha institucionet e licencuara për pagesa.

#prishtina?

 

(A.M /Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se ka ftuar në interpelancë ministrin…