Ahmeti: Komunat në bashkëpunim me institucionet qendrore të punojnë në rregullimin e shtretërve të lumenjve
Tahir Ahmeti, njohës i çështjeve të emergjencave dhe njëherësh drejtor ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC), ka thënë se Kosova kohëve të fundit shumë shpesh po përballet me vërshime, sidomos ato të shpejta.
Ai ka bërë thirrje për masa të vazhdueshme preventive, si dhe qasje serioze dhe afatgjate institucionale.
Ahmeti ka theksuar se komunat në bashkëpunim me institucionet qendrore duhet të punojnë në rregullimin e shtretërve të lumenjve.
“Mjaftojnë të reshura më të theksuara që zona të caktuara të përmbyten. Duhen masa të vazhdueshme preventive, si dhe qasje serioze dhe afatgjate institucionale. Komunat në bashkëpunim me institucionet qendrore duhet të punojnë në rregullimin e shtretërve të lumenjve, kanaleve kulluese apo përroskave, në mënyrë që të pengohet dalja e ujit nga shtretërit, që pastaj mund të shkaktojë vërshime, të ndalohet eksploatimi i pakontrolluar i zhavorrit mu në shtretërit e lumenjve, të ndalohet ndërtimi i shtëpive, rrugëve dhe urave në vende që janë të rrezikuara nga vërshimet, të kontrollohen dhe ndalohen prerjet e pakontrolluara të pyjeve në afërsi të zonave vërshuese, në vendet urbane të përmirësohet infrastruktura nëntokësore (ujësjellësi, kanalizimi etj)”, ka deklaruar Ahmeti.
(M.Q / Epoka e re)



