Ahmeti: Pa LDK-në e LV-në s’mund të ratifikohet marrëveshja me Serbinë

03 janar 2019 | 21:43

Bashkëkryesuesi i Ekipit Negociator për bisedime me Serbinë, Shpend Ahmeti, ka thënë se në Bruksel do të flasin për arritjen e marrëveshjes me Serbinë, dhe se, pa Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe pa Lëvizjen Vetëvendosje nuk mund të ratifikohet marrëveshja me Serbinë.

Ahmeti, kryetar i Partisë Socialdemokrate, tha se shkuarja në Bruksel më 8 janar ka për qëllim dakordimin e hapave të radhës drejt arritjes së marrëveshjes finale mes Serbisë dhe Kosovës.

“Ka mbetur që të caktohet saktë agjenda megjithatë do të takohemi me ekipin i cili lehtëson dialogun për të diskutuar mbi procesin që tashmë e kemi dakorduar ne si Kosovë dhe për të dakoraduar hapat e radhës që priten të ndodhin pra me intensifikimin në dialogun Kosovës Serbi, me tentimin që të arrijmë një marrëveshje”, ka deklaruar Ahmeti për “rtv21”.

Ai ka thënë se tashmë Ekipi Negociator ka marrë të gjithë dokumentacionin nga kryeministri dhe Presidenti vendit dhe se janë duke e përgatitur platformën që duhet të shkojë në Kuvend jo më larg se 15 janari.

“Parimet e platformës janë pak a shumë të qarta nuk mund të dalim jashtë kornizave të kushtetutës të Kosovës por mund të shprehim se çfarë synime mund të arrihen nga ky dialog. E ajo është njohja e ndërsjellët natyrisht. Mendoj që nuk kemi mandate të dalim jashtë kushtetutës, sepse ajo na paraqet kornizat se brenda cilave mund të negociojmë. Përveç të zhdukurve, dëmet e luftës, çështjet e pronave çështjet e kishës dhe trashëgimisë kulturore, të drejtat e pakicave në të dyja shtetet dhe reciprociteti”, u shpreh kryetari i PSD’së.

Ai tutje shtoi se pa LDK dhe VV-së nuk mund të ratifikohet marrëveshja me Serbinë.

“Mendoj që nuk është mirë që të mos i kemi 2/3 e votave që të ratifikohet dhe mendoj se patjetër duhet të kyçen në këtë proces. Qasja refuzues në këtë proces s’i ka hije asnjë partie, sepse për çfarë kanë hyrë në politikë tani, sepse po flitet për Kosovën jo për pronë dhe është dialog që flitet për të ardhmen. Derisa po kyçen të gjithë faktorët ndërkombëtarë e këta të Kosovës thonë jo, unë me të vërtetë nuk i kuptoj”, ka deklaruar Ahmeti.

Ai shtoi se LDK dhe VV nuk po i kupton sepse në njërën “anë dërgojnë letër Mogerhinit që të kyçen në dialog, në njërën anë nuk dëshirojnë”.

Ahmeti ka folur edhe për liberalizimin e vizave. Sipas tij, heqja e vizave mund të shtyhet edhe për një vit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Grabitësit nuk do ta kenë më të lehtë të grabisin…