Aida Dërguti rikthehet në politikë, kandidate e PDK-së për deputete
Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe analistja politike, Aida Dërguti, pritet t’i rikthehet politikës aktive si kandidate e Partisë Demokratike të Kosovës për deputete. Lajmin e ka bërë të ditur gazetari Adriatik Kelmendi përmes një postimi publik, ku ka vlerësuar angazhimin e Dërgutës ndër vite në jetën publike dhe politike në Kosovë. “Sot, PDK-ja dhe Kuvendi i Kosovës pas 7 qershorit do të fitojnë shumë, ndërsa emisioni ‘Rubikon’ do ta ndjejë thellë mungesën e saj”, ka shkruar Kelmendi. Sipas tij, Dërguti ka vendosur t’i rikthehet angazhimit të drejtpërdrejtë politik, duke e konsideruar këtë moment të rëndësishëm për vendin.
“Aida, një ndër personat më të angazhuar në Kosovë për kauzat e drejta për vendin dhe shoqërinë në këto 30 vjet, ka vendosur t’i rikthehet aktivizimit të drejtpërdrejtë në politikë. ‘Mendoj se ka ardhur momenti për ta kthyer vendin kah e mbara: ose tash, ose kurrë’, më tha”, ka deklaruar Kelmendi. Në fund, ai i ka uruar suksese Dërgutës në angazhimin e saj të ri politik.



