AKB-ja: Duke ndëshkuar Shqipërinë nuk mbrohet tregu vendor!

07 maj 2026 | 11:52

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me masat dhe qasjen e fundit të Ministrisë së Bujqësisë dhe AUV-së ndaj produkteve të importuara, veçanërisht atyre me origjinë nga Shqipëria.

Shahini në reagimin për medie ka theksuar se Kosova është nënshkruese e marrëveshjes CEFTA dhe Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian, marrëveshje këto që garantojnë lëvizjen e lirë të mallrave, konkurrencën e ndershme dhe eliminimin e barrierave jo-tarifore në tregti.

“Mbrojtja e konsumatorit dhe mbështetja e prodhimit vendor janë të domosdoshme, por ato nuk duhet të shndërrohen në masa administrative që pengojnë qarkullimin e mallrave dhe krijojnë barriera të fshehta tregtare ndaj produkteve ‘Made in Albania. Për bizneset e Kosovës dhe për AKB-në, tregu i Shqipërisë konsiderohet treg kombëtar, ashtu si edhe tregu i Kosovës për bizneset shqiptare. Çdo pengesë artificiale në kufi, çdo vonesë e panevojshme apo trajtim selektiv i produkteve shqiptare dëmton jo vetëm ekonominë shqiptare, por edhe vetë bizneset, konsumatorët dhe partneritetin ekonomik mbarëkombëtar”, është thënë në reagimin e kryetarit të AKB-së, Agim Shahini.

AKB-ja vlerëson se standardet e sigurisë ushqimore duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjitha produktet, pa diskriminim dhe pa krijuar klimë pasigurie për importuesit dhe prodhuesit shqiptarë.

“Në vend të barrierave dhe kontrolleve selektive, institucionet duhet të fokusohen në luftimin e produkteve jokualitative pa dallim origjine, harmonizimin e standardeve Kosovë – Shqipëri, lehtësimin e procedurave doganore dhe fitosanitare si dhe krijimin e një tregu unik ekonomik shqiptar. AKB-ja kërkon që institucionet e Kosovës të respektojnë frymën e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe partneritetin strategjik Kosovë – Shqipëri, duke mos krijuar precedentë që mund të dëmtojnë raportet ekonomike ndërmjet dy vendeve tona. Ekonomia kombëtar nuk forcohet me barriera mes shqiptarëve, por me bashkëpunim, standarde dhe treg të përbashkët”, ka thënë Shahini.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, ka mbërritur në…