AKB-ja: Fuqia e 10 bizneseve në Kosovë – rreth 2.5 miliardë euro qarkullim, 25 mijë vende pune dhe 23% e BPV-së
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka vlerësuar lart performancën e kompanive më të mëdha që operojnë në Kosovë gjatë vitit 2025, të cilat dëshmojnë qartë fuqinë reale të sektorit privat dhe rolin e tij vendimtar në zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin social të vendit.
Sipas analizës së AKB-së, vetëm këto 10 kompani realizojnë rreth 2.5 miliardë euro qarkullim vjetor, që përfaqëson afërsisht 22 – 23% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Kosovës. Ato janë ndër taksapaguesit më të mëdhenj në vend dhe punësojnë rreth 25 mijë punëtorë, duke qenë shtylla kryesore e ekonomisë, punësimit dhe mirëqenies sociale.
Sipas të dhënave, kompania energjetike Kosovo Calik Limak Energy kryeson listën me një qarkullim prej 437 milionë euro. Në mesin e kompanive lidere renditen edhe VivaFresh Store me 393 milionë euro, ELKOS me 247 milionë, HIB Petrol me kompanitë e ndërlidhura me 236 milionë, Proex (Intrex) me 235 milionë, Ex FIS me 220 milionë, KEK me 200 milionë, Noa Energy Trade me 185 milionë, Bucaj me 175 milionë, si dhe në top-10 AlbaPetrol Group me 162 milionë euro qarkullim.
“Statistikat tregojnë qartë se gjatë vitit 2025, sektorët e energjisë, derivateve dhe tregtisë me pakicë kanë qenë motorët kryesorë të rritjes ekonomike dhe stabilitetit financiar të vendit. Mesazhi është i qartë: pa biznese të forta nuk ka ekonomi të fortë, ndërsa pa dialog dhe politika të qëndrueshme nuk ka zhvillim afatgjatë. Aleanca Kosovare e Bizneseve vlerëson se këto kompani duhet të trajtohen si partnerë strategjikë të institucioneve, përmes politikave të parashikueshme, klimës së favorshme për investime dhe mbështetjes reale për sektorin privat”, thyhet në njoftimin për medie të AKB-së.
Në fund, Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, përgëzon të gjitha kompanitë për këto arritje dhe rithekson se AKB-ja do të vazhdojë të jetë zëri i fuqishëm i bizneseve dhe kontribuues aktiv në ndërtimin e një ekonomie të fortë, konkurruese dhe të qëndrueshme për Kosovën.



