Marshimi i shqiptarëve!
Shkruan: Ahmet Jashari
Shqiptarët e Kosovës kanë dhënë shumë për lirinë, prandaj nuk e falin lirinë. Kjo është e vërteta e madhe që nuk mund të tjetërsohet me gjykime politike ndaj drejtuesve të UÇK -së. Shqiptarët nuk do të pranojnë që historia të rishkruhet nga Serbia, e cila udhëhoqi politikë gjenocidi në Kosovë. Një shekull pushtim, dhunë, burgosje, vrasje, nuk mund të zhbëhet nga një gjykatë e furnizuar me “prova” nga vetë ish-pushtuesi. Çfarë absurdi!
Shqiptarët e Kosovës janë lodhur nga propaganda kundër të vërtetës, kundër lirisë, shtetit dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shumë kanë rënë në kurthin e ngritur nga Serbia, që i portretizon çlirimtarët si kriminelë. Disa e kanë shfrytëzuar këtë propagandë serbe për t’u fshehur nga e vërteta.
Në anën tjetër, zyrtarët serbë nuk e fshehin qëllimin që nëpërmjet gjykimit të drejtuesve të UÇK -së, ta zhbëjnë Republikën e Kosovës. Kjo nuk është lajm për shqiptarët normalë, por për ata që janë verbuar nga shkronjat “Made in Serbia”.
Disa pyetje që do të mund të ndihmonin të kurthuarit: Pse Serbia e sulmon UÇK -në dhe çlirimtarët? Pse Serbia synon ta shkatërroj rrëfimin për Luftën e UÇK-së? Pse Serbia synon ta kriminalizojë UÇK -në? Shqiptarët normalë e kuptojnë lehtë, nuk ju duhet asnjë sqarim shtesë.
Shqiptarët në Kosovë dhe jashtë Kosove, do të marshojnë të martën në Prishtinë, në 18 – vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, për ta shpërfaqur mbështetjen për lirinë e vet, shtetin e vet, rrëfimin e vet, historinë e vet dhe çlirimtarët e vet. Prishtina e së martës, do ta dëshmojë se shqiptarët nuk i japin më bijtë e vet, ashtu siç fatkeqësisht kanë bërë shumë herë gjatë historisë!
Drejtësi, jo politikë!



