AKB-ja në përkrahje të protestës së 7 gushit kundër Gjykatës Speciale

05 gusht 2025 | 14:34

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, ka pritur në takim kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe delegacionin e tij, me të cilët ka diskutuar rreth protestës gjithëpopullore të 7 gushtit kundër padrejtësive që po u bëhen çlirimtarëve tanë në Hagë.

“AKB-ja dhe komuniteti i biznesit kosovar, që gjithmonë ka qenë në krah të atdheut, do ta mbështesin fuqishëm këtë protestë paqësore, sepse padrejtësia ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe shokëve të tyre është padrejtësi ndaj vetë historisë sonë dhe vetë lirisë sonë. Ne nuk mund të qëndrojmë të heshtur kur ata që na sollën lirinë po trajtohen si fajtorë. Ne nuk mund të bëhemi shurdh ndaj dhimbjes së familjeve të tyre. Kjo nuk është vetëm betejë ligjore është betejë për të vërtetën, për dinjitetin tonë kombëtar dhe për të ardhmen e drejtë të Kosovës”,  ka thënë Shahini.

Shahini u ka bërë thirrje të gjitha bizneseve, pronarëve, punëtorëve dhe qytetarëve të ndershëm të Kosovës që më 7 gusht të bashkohen me zemër dhe ndërgjegje të pastër në këtë protestë për drejtësi.

“Sepse kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrë; sepse pa çlirimtarët – nuk do të kishim liri; sepse heshtja jonë sot, mund të jetë dënimi i nesërm i historisë”, ka thënë Shahini.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori universitar dhe ish-lideri i Lëvizjes Studentore, Bujar Dugolli, ka…