
AKB-ja: Produktet serbe kanë pushtuar tregun, qeveria po rrezikon prodhimin vendor dhe vetëvendosjen ekonomike
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar ashpër ndaj rritjes së madhe të importeve nga Serbia, duke e cilësuar këtë si një “pushtim të heshtur” dhe një kërcënim serioz për prodhimin vendor dhe pavarësinë ekonomike të vendit.
Sipas të dhënave të publikuara nga AKB-ja, importet nga Serbia janë rritur mbi 118% në krahasim me vitin e kaluar nga 50.64 milionë euro në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, në 110.53 milionë euro për të njëjtën periudhë të vitit 2025.
“Kjo rritje nuk është thjesht një statistikë ekonomike, por një sinjal i qartë i rikthimit agresiv të produkteve serbe në tregun tonë dhe i rrënimit të prodhuesve vendorë”, është thënë në reagimin e AKB-së.
Më tutje, AKB-ja ka vlerësuar se kjo gjendje është pasojë direkte e heqjes së masave kufizuese ndaj mallrave serbe nga ana e Qeverisë së Kosovës në tetor të vitit të kaluar.
“Produktet ‘Made in Kosovo’ po zëvendësohen nga ato serbe në rafte, në tregje e në tryezat tona”, është thënë në reagimin e AKB-së, duke shtuar se kjo nuk është vetëm çështje ekonomike, por çështje dinjiteti dhe vetëvendosjeje.
AKB-ja ka thënë se është e papranueshme që një shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës të dominojë ekonominë vendore, pa reciprocitet dhe pa kritere mbrojtëse të përcaktuara qartë.
“Ironikisht, ata që dikur protestonin kundër ‘maunave serbe’, sot heshtin, madje e lehtësojnë hyrjen masive të këtyre mallrave”, është thënë në reagim.
AKB-ja ka bërë thirrje për ndërgjegjësim qytetar dhe institucional, duke ftuar konsumatorët që të mbështesin prodhuesit vendorë dhe të tregojnë kujdes në zgjedhjet që bëjnë: “Konsumoni produkte vendore! Mbështesni ekonominë tonë, prodhuesin tonë dhe pavarësinë tonë!”.
Në përmbyllje të reagimit, AKB-ja ngre alarmin se Kosova nuk mund të ndërtojë një të ardhme të qëndrueshme mbi importin e identitetit ekonomik të tjetrit, dhe se duhet të zgjedhë midis një “tregu të lirë dhe një shteti të lirë”.