AKB-ja vlerësohet me mirënjohjen më të lartë nga OEMVP në 20-vjetorin e themelimit të saj
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) është nderuar me mirënjohjen më të lartë nga Organizata e Punëdhënësve të Maqedonisë së Veriut (OEMVP), në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të themelimit të kësaj organizate.
Ky vlerësim i veçantë i është dhënë AKB-së për bashkëpunimin tradicional, të qëndrueshëm dhe të suksesshëm ndërmjet dy organizatave, që nga themelimi i OEMVP-së e deri më sot.
Me këtë rast, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka falënderuar drejtuesit e OEMVP-së për këtë mirënjohje, duke theksuar se partneriteti ndërmjet organizatave ekonomike të rajonit është një faktor i rëndësishëm për zhvillimin e sektorit privat, rritjen e investimeve, avancimin e dialogut social dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet vendeve të rajonit.
“Ky vlerësim është një nder për AKB-në dhe një dëshmi e angazhimit tonë të përbashkët për fuqizimin e komunitetit të biznesit dhe zhvillimin ekonomik rajonal. Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe partneriteti në interes të bizneseve dhe ekonomive tona”, ka deklaruar Shahini, i cili në emër të AKB-së ka uruar OEMVP-në për 20 vjet veprimtari të suksesshme dhe ka shprehur gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në të ardhmen.



