
AKB: Nga nesër, bizneset pa kontratë furnizimi me energji rrezikojnë çkyçjen nga rrjeti
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), pas hulumtimit të fundit, konstaton se në Kosovë janë rreth 10,000 njësorë elektrikë të lidhur me rreth 1,030 biznese, nga të cilat një pjesë e kanë përfunduar procesin e nënshkrimit të marrëveshjes për furnizim me energji elektrike me njërin nga 5 furnizuesit e licencuar.
“Deri sot, mbi 700 biznese kanë nënshkruar marrëveshje, ndërsa kanë mbetur më pak se 300 biznese, që përfaqësojnë afërsisht 3,000 njësorë elektrikë, pa kontratë furnizimi”.
“Pas vendimit përfundimtar të Gjykatës Komerciale – Shkalla e Dytë, i cili i jep të drejtë ZRrE-së në zbatimin e rregullores për liberalizimin e tregut të energjisë, ZRrE dhe KESCO/KEK kanë paralajmëruar se nga nesër do të ndërpresin furnizimin me energji elektrike për të gjitha bizneset që nuk kanë marrëveshje të vlefshme furnizimi”, thuhet në reagimin e AKB-së.
AKB-ja apelon fuqishëm tek të gjitha bizneset që nuk e kanë nënshkruar ende marrëveshjen, që ta bëjnë këtë urgjentisht sot, në mënyrë që të shmangin ndërprerjen e energjisë dhe pasojat e mundshme ekonomike.
“Respektimi i ligjit dhe vendimeve gjyqësore është i domosdoshëm për një treg të rregulluar e të drejtë. AKB do të vazhdojë betejëne ligjore do të të bashkëpunojë me institucionet dhe furnizuesit e energjisë për të garantuar një proces sa më transparent dhe të drejtë për bizneset”, thuhet në reagim.