AKK: Ministria e Financave po bllokon vlerësimin e pronave, po rrezikohet zhvillimi lokal

06 korrik 2025 | 08:13

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka akuzuar Ministrinë e Financave për keqinterpretim të ligjit dhe për ndalimin e padrejtë të proceseve teknike të vlerësimit të pronave komunale, të cilat pritet të jepen në shfrytëzim apo këmbim.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Ibrahimi theksoi se ky veprim i ministrisë mund të ndikojë negativisht në zhvillimin ekonomik lokal dhe kërkoi rishqyrtimin e urgjent të kësaj mase.

“Asociacioni, pasi mori informacionin nga komunat e Kosovës se Ministria e Financave ka lëshuar në qarkullim një qarkore ku i kërkon komunave që t’i ndalonin proceset për sa i përket vlerësimit të pronave komunale të cilat mund të jepen në shfrytëzim dhe këmbim. Kjo ministri po më duket që ka ngatërruar ligjin në fuqi për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim dhe këmbim, sepse ky proces është teknik, pra vlerësimi i pronave për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim është proces teknik, kurse me legjislacionin në fuqi në Kosovë thuhet që pas ditës së shpalljes së zgjedhjeve lokale nga presidentja, atëherë të gjitha proceset sa i përket marrjes së vendimeve në kuvendet komunale për dhënien e pronës komunale në shfrytëzim dhe këmbim duhet të ndalohen, por jo proceset teknike,” tha ai.

Ai theksoi se procesi i vlerësimit të pronave është një hap tekniko-administrativ dhe nuk përfshin asnjë vendimmarrje politike.

“Ky është një proces tekniko-administrativ i cili nuk ka të bëjë fare me vendimmarrje, sepse vendimmarrja për dhënien e pronës komunale bëhet në kuvendet komunale, dhe kuvendet komunale pas konstituimit të organeve komunale pas zgjedhjeve lokale që do i kemi më 12 tetor të këtij viti, atëherë mund të marrin vendime. Ky proces, tash nëse nuk bëhet tani, atëherë mund të bartet pas zgjedhjeve. Pas zgjedhjeve merr një kohë të caktuar dhe kjo ndikon normal në zhvillimin ekonomik lokal. Çdo ndikim negativ në zhvillimin ekonomik lokal normal që lë pasoja edhe tek qytetari i Kosovës,” tha Ibrahimi.

Ai shtoi se qarkorja e Ministrisë së Financave është në kundërshtim me ligjin dhe se proceset teknike duhet të vazhdojnë.

“Për këtë arsye, ne kemi konstatuar që kjo ministri nuk është duke u sjellur në bazë të legjislacionit në fuqi sa i përket vlerësimit të pronave komunale të cilat mund të jepen në shfrytëzim dhe këmbim, sepse nuk ka të bëjë me vendimmarrje politike. Ne kërkojmë nga kjo ministri që ta rishtqyrtojë këtë qarkore në mënyrë që proceset tekniko-administrative të cilat nuk prekin vendimmarrjen politike t’i lënë të ecin ashtu siç kanë ecur deri më tani, në mënyrë që të mos ndalen disa procese të cilat ndikojnë në zhvillimin ekonomik lokal. Ka çështje pronësore të pazgjidhura sa i përket vlerësimit, sa i përket rrugëve lokale, trotuareve, parqeve, do të thotë çdo aktivitet që ka të bëjë e i cili shkon në dobi të qytetarit, sa i përket vlerësimit të pronës duhet të lejohet,” përfundoi ai.

Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon nga institucionet qendrore të veprojnë në përputhje me ligjin dhe të mos pengojnë proceset që janë jetike për funksionimin dhe zhvillimin e komunave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Çdo i gjashti në botë vuan nga vetmia, e cila,…