AKP-ja i reagon ‘Elkos Group’-it rreth gjobës prej 1. 3 milion euro

05 korrik 2018 | 16:04

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka shprehur indinjatë të thellë rreth akuzave që janë bërë në drejtim të menaxhmentit të kësaj agjencie, në lidhje me vendimin e fundit të marrë nga Bordi për penalizimin e investitorit “ELKOS Group” në rastin e NSH “Famipa”.

“Duam të njoftojmë publikun që vendimet e tilla janë në përgjegjësinë ekskluzive të Bordit të AKP-së, e jo të menaxhmentit të agjencisë. Vendimi në fjalë, sikur edhe vendimet e tjera të natyrës së tillë, bien në përgjegjësi të Bordit, dhe janë të bazuara mbi monitorimin e vazhdueshëm të obligimeve kontraktuale të konstatuara edhe nga auditorë të jashtëm. Në rastin e NSH ‘Famipa’, ndër të tjera, investitori është penalizuar për shkak të mospërmbushjes së kushtit për mbajtjen e aktivitetit bazë të ndërmarrjes”, është thënë në reagimin e AKP-së.

Sipas këtij reagimi, vendimi i AKP-së duhet të shihet vetëm në funksion të zbatimit të ligjit.

“Agjencia është e sigurt që ushtrimi i drejtë i funksionit të saj si dhe zbatimi i ligjit janë në funksion të inkurajimit të investitorëve potencial. Agjencia është në tërësi e hapur për mediet dhe shoqërinë civile që janë të interesuara të hulumtojnë këtë rast deri në detaje. Me qëllim të informimit të drejtë, agjencia është në dispozion për të shpalosur çfarëdo informate apo dokumenti mbi të cilat është bazuar vendimi për rastin NSH ‘Famipa’”, është thënë në reagimin e AKP-së.

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) e ka dënuar “Elkosin” i cili është pronë e deputetit të LDK-së, Ramiz Kelmendi me gjobë prej 1 milion e 300 mijë eurosh. Mospërmbajtja e kontratës për firmën “Famipa” nga Prizreni ka qenë arsyeja që ka shtyrë AKP-në ta marrë këtë vendim. Vendimi është marrë në mbledhjen e bordit të drejtorëve të AKP-së.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, ka vizituar të…