Akreditohen mbi 8 mijë vëzhgues për balotazhin e 9 nëntorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për akreditimin dhe konfirmimin e 8 mijë e 49 vëzhguesve nga shtatë subjektet politike të certifikuara, të cilat garojnë në raundin e dytë për kryetarë komunash.
Sipas KQZ-së, këta vëzhgues do të jenë të angazhuar në qendrat e votimit në të gjitha komunat ku do të zhvillohet procesi zgjedhor.
KQZ-ja ka miratuar gjithashtu akreditimin e vëzhguesve të organizatave të ndryshme joqeveritare dhe të përfaqësive diplomatike.
Po ashtu, ka vendosur për akreditimin e përfaqësuesve të mediave vendore dhe ndërkombëtare, të cilët do të raportojnë drejtpërdrejt nga qendrat e votimit dhe do të ndjekin zhvillimet gjatë ditës së zgjedhjeve.
Raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë të komunave do të mbahet në 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.



