Aksident në rrugën Prishtinë-Pejë, u përfshinë 12 vetura, u lënduan 7 persona
Shtatë persona kanë mbetur të lënduar pas tre aksidenteve të ndara që kanë ndodhur në rrugën Prishtinë-Pejë.
Zëdhënësi i policisë, Bajram Krasniqi për Demokracia.com ka thënë se aksidentet kanë ndodhur tek “Kroi i Mbretit”.
“Më herët u njoftuam për tri aksidente në rrugën nacionale Prishtinë-Pejë (tek Kroi i Mbretit). Në tri aksidentet janë përfshirë dymbëdhjetë vetura dhe si pasojë e aksidenteve deri në këto momente, shtatë persona janë deklaruar se kanë pësuar lëndime”, tha ai.
Në fund, Bajrami shtoi se policia kërkon nga pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat e trafikut rrugor.
“Ndaj kundërvajtësve po zbatohet zero tolerancë, kështu këto ditë kemi numër rekord të ndëshkimeve për shkelësit e rregullave të trafikut. Për tetë ditë të shkuara, janë 13 319 gjoba të shqiptuara, aktivitete do të vazhdojnë, POR kërkohet nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik respektim i rregullave të trafikut, në mënyrë që rrugët tona të jenë më të sigurta”, tha ai tutje.
Ndërkohë, vlen të theksohet se ditëve të fundit ka pasur rritje të aksidenteve të trafikut në vend, ndërsa fatkeqësisht, pati edhe viktima.



