
Aksion i Policisë kundër korrupsionit në dhënien e patentë shoferëve: 11 të arrestuar
Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të enjten ka realizuar operacionin “PATENTA” në rajonin e Prishtinës, Gjakovës dhe Gjilanit ku ka arrestuar 11 persona.
Në komunikatën e policisë të dyshuarit po hetohen për katër vepra penale.
Policia bën të ditur se kanë konfiskuar armë, fishekë, para, telefona mobil, kompjuterë dhe dokumente.
Komunikata e plotë:
Policia e Kosovës respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit me datën 29.05.2025 sipas Planit Operativ “PATENTA” ka realizuar urdhëresën e Gjykatës Themelore Prishtinë me ç’rast në rajonin e Prishtinë , Gjilanit dhe Gjakovës janë kontrolluar 10 lokacione të ndryshme si; shtëpi private, zyrat rajonale të MMPHI-së -koordinatorë/ekzaminerë dhe biznese me veprimtari të auto shkollës.
Hetimet për ketë rast kanë filluar muaj më parë me ç’rast janë aplikuar masat e veçanta të hetimit përmes të cilave janë arritur të sigurohen dëshmi të mjaftueshme për veprat penale ’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”, “Ushtrim ndikimi” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, duke u dëshmuar se njëmbëdhjetë të dyshuar meshkuj kosovarë në forma të ndryshme në vazhdimësi kanë ndihmuar kandidatë të shumtë për tu pajisur me patentë shofer të kategorive të ndryshme, me qëllim të përfitimit material për vete apo për persona të tjerë, gjithnjë në kundërshtim me ligjin.