Aktakuzat e para në Gjykatën Speciale tanimë janë ngritur!

25 shkurt 2020 | 13:34

Tomë Gashi

Nuk është aspak sinjal i mirë që Prokuroria të kërkojë nga kryetarja e Gjykatës që të caktojë gjyqtarë të procedurës paraprake, sepse kjo i bie se një apo me tepër aktakuza janë të gatshme.

Sido që të jetë tani më çdo gjë është duke u ditur që Gjykata Speciale pas pesë viteve të themelimit të saj, mjerisht nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe mbi dy vite pas funksionalizimit të saj, do të ngritë aktakuzat e para, gjë që do të jetë tepër e dëmshme për shqiptarët në përgjithësi, për shqiptarët e Kosovës në veçanti, e posaçërisht për ish-pjesëtarët e UÇK-së.

Unë besoj që fajin kryesor, që ka ardhur deri tek formimi i Gjykatës Speciale e kanë disa prej udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që në emër të UÇK-së, kanë bërë trysni tek deputetët, posaçërisht të partive të tyre, që të themelojnë Gjykatën Speciale me pretendime se kinse kjo është në të mirë, siç thonë ata të vërtetimit të pastërtisë së luftës së UÇK-së, ndërsa që të jetë ironia edhe më e madhe kur ata janë ftuar në Gjykatën Speciale në Hage, ata thjeshtë kanë heshtur, janë mbrojtur në heshtje, dhe tani është pak sa e pakuptueshme se si kanë mundur të vërtetojnë pastërtinë e luftës së UÇK-së duke u mbrojtur në heshtje.

Mbrojtja në heshtje në shumë raste është strategji e mirë fillestare juridike, por në aspektin politik është pak sa e pakuptueshme, se si mund të mbrosh apo vërtetosh diçka pa folur fare.

Ende askush nuk e di, se kush mund të jenë të akuzuarit e parë, sepse aktakuzë me një person nuk do të kemi, por definitivisht nuk do të ketë fare tronditje të skenës politike në Kosovë, sepse tani më, kemi një qeveri të themeluar në mënyrë demokratike, dhe destabilizim nuk do të ketë, mund të ketë shfaqje sporadike të pakënaqësisë, gjë që është krejtësisht normale, mund të ketë protesta, të cilat po ashtu mund të jenë normale, por destabilizim nuk do të lejohet që të ketë, sepse fundi i fundit Kosova si shtet ka qenë edhe projekt amerikan, dhe në asnjë rast ata që do të akuzohen nuk e kanë ma fuqinë e vendimmarrjes dhe gjithçka do të jetë shprehje e pakënaqësisë, por pakënaqësia duhet të drejtohet tek ata që e kanë votuar Gjykatën Speciale, e jo tek Qeveria e kryeministrit Albin Kurti, sepse siç të gjithë e mbajmë në mend deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, jo vetëm që nuk e kanë votuar Gjykatën Speciale, por ata e kanë lëshuar edhe Kuvendin e Republikës së Kosovës kur është votuar kjo Gjykatë, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj atyre që insistonin që kjo Gjykatë të formohej.

Do të mbahet mend fjalimi i Albin Kurtit në Parlamentin e Republikës së Kosovës, që do të mbetet në histori, i cili u mundua që të parandaloj themelimin e kësaj Gjykate, por një pjesë e udhëheqësve të UÇK-së që kishin fuqi thuajse të pakufizuar politike, insistonin që gjithsesi të formohet kjo Gjykatë.

Duke menduar se ata vetë nuk do të jenë shënjestër e saj, por gjërat ndryshuan, pastaj më 22 dhjetor 2017, dy ditë para Krishtlindjeve duke menduar se zyrtarët e lartë ndërkombëtarë dhe ambasadorët e shteteve të fuqishme kanë ikur në shtetet e tyre për shkak të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, ata tentuan ta zhbëjnë Gjykatën Speciale, por as kjo nuk kaloj, sepse nuk mund të zhbënin diçka që vetë e kishin krijuar.

Pastaj të njëjtit u tërhoqën nga kjo tentative dhe situata mbeti e njëjtë, do të mbetet e njëjtë, sepse me ligjin e Gjykatës Speciale, Kryeministri Albin Kurti, qeveria e tij, dhe as Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk mund ta zhbëjnë Gjykatën Speciale, nuk mund ta ndalojnë punën e saj, sepse kështu kanë vendosur deputetet e Republikës së Kosovës, ata që e votuan këtë gjykatë më 3 gusht të vitit 2015.

Frika më e madhe është se Prokurorët e Gjykatës Speciale nuk janë ngutur dhe duket që kanë punuar me vitet të tëra që të sigurojnë prova kundër pjesëtarëve të UÇK-së, e që është edhe më keq me ligj nuk është parandaluar që të përdoren edhe provat e siguruara nga organet e ndjekjes në Serbi, siç janë Prokuroria për Krime të Luftës në Serbi dhe organe të tjera, ndërsa është çështje tjetër, se sa këto mund të kenë kredibilitet – besueshmëri në Gjykatën Speciale.

Vetëm shqiptarët e Kosovës kanë votuar një Gjykatë kundër vetvetes, me pretendime që truri i shëndoshë nuk i kupton, që duke krijuar Gjykatë kundër vetvetes do ta pastrojnë luftën e UÇK-së.

Se ka qenë luftë e drejtë nga UÇK-ja dhe luftë mbrojtëse këtë askush nuk e ka kontestuar, të gjithë e dinë, dhe për këtë arsye ne gjatë vitit 1998-1999 kishim edhe aleatët kryesorë të shteteve demokratike, që na ndihmuan aq shumë të çlirohemi nga Serbia, sa që për 78 ditë, nga 24 mars deri më 12 qershor 1999 e bombarduan Serbinë për ta mbrojtur popullin shqiptarë të Kosovës nga gjenocidi, pastrimi etnik, nga vrasjet masive, dhunimet dhe torturat çnjerëzore që nuk ishin parë që nga Lufta e Dytë Botërore, sa që Serbia tentojë që ta shfarosë popullin shqiptarë nga Kosova, duke na vrare dhe duke na dëbuar gjysmën e popullatës jashtë territorit të Kosovës.

Ne u çliruam me ndihmën e NATO-s, e posaçërisht të Amerikës, e cila pas luftës së UÇK-së dhe të popullit shqiptarë të Kosovës u vu në shërbimin tonë që të na shpëtoj.

Pretendimet se nëse ne nuk do ta kishin krijuar Gjykatën Speciale këtë do ta bënte OKB-ja, me Gjyqtarë ruse dhe kinez, nuk është fare e vërtetë, OKB-ja kurrë nuk do të krijonte Gjykatë raciste kundër një nacionaliteti, në një shtet multietnik, sepse në Kosovë nuk ka pasur luftë civile, por ka pasur luftë mbrojtëse nga ana e jonë, në kryeje me UÇK-në dhe NATO-n, ndërsa në anën tjetër okupim total ushtarak policor nga Serbia.

OKB-ja nuk do të formonte një Gjykatë njënacionale, sepse do t’i dëmtonte rënde themelet e saj të mosdiskrimit, racor, fetar gjinor etj, edhe varianti më i keq që do të ishte shumë më i mirë se Gjykata Speciale, do te krijohej një Gjykatë për ti gjykuar të gjithë ata për të cilët ka prova se kanë kryer vepra penale të krimeve të luftës gjatë luftës në Kosovë, e qe janë Forcat Ushtarake Serbe, që vranë mbi 15 mije civil shqiptarë, mbi njëmijë fëmijë, dhunuan mbi njëzetmijë gra e vajza në Kosovë, që e shkatërruan Kosovën në tërësi duke e bëre shkrumb e hi.

Me delegimin e sovranitetit juridik, në territorin e shtetit të Holandës, ne thuajse fatin tonë e kemi lënë në duar të huaj, dhe që është më e keqja e kemi dëmtuar rëndë UÇK-në në emër të UÇK-së.

Tani më jemi në situatën ku aktakuzat e para në Gjykatën Speciale janë ngritur!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Papa Françesku dhe kancelarja gjermane Angela Merkel janë liderët më…