Aktakuzat e Speciales e kanë futur Kosovën në një rrugë qorre

24 nëntor 2020 | 10:45

Drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala, ka thënë se aktakuzat e Gjykatës Speciale e kanë futur Kosovën në një rrugë qorre.

Po ashtu, ai ka thënë se këto aktakuza e kanë degraduar Kosovën në arenën ndërkombëtare, duke e vënë shtetin tonë në pozitë të pafavorshme ndaj Serbisë e cila ka kryer gjenocid kundër shqiptarëve.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Shala ka thënë se shpreson se administrata e Joe Bidenit të ndikojë në mënyrë që Kosova ta kthejë pozitën të cilën e ka pasur më herët.

Shala ka thënë se procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të jetë maratonik, pa dashur ta paragjykojë epilogun e këtij procesi.

Ai ka reaguar edhe ndaj deklaratës së kryeprokurorit të Gjykatës Speciale, Jack Smith, në lidhje me ish-presidentin Hashim Thaçi, duke theksuar se deklarata e Smithit është përpjekje për të ndërhyrë në procesin gjyqësor kundër ish-drejtuesve të UÇK-së

 “Epoka e re”: Z. Shala, si i vlerësoni zhvillimet në vend pas konfirmimit të aktakuzave kundër ish-drejtuesve kryesorë të UÇK-së nga Gjykata Speciale?
Shala: Çdokush që e ka përcjellë nga fillimi këtë proces e ka ditur se do të ketë aktakuza, ndërsa se kush do të ishte pjesë e aktakuzave, më shumë ka qenë çështje e parashikimeve të ndryshme, preferencave politike apo personale që kanë pasur persona të caktuar. Definitivisht, konfirmimi i aktakuzave nga Gjykata Speciale e ka futur Kosovën në një krizë, duke e degraduar atë në planin ndërkombëtar, pra duke e vënë Kosovën në pozitë të pafavorshme ndaj Serbisë, për faktin se Serbia si shkaktare dhe zbatuese e gjenocidit në Kosovë është bërë partnere serioze e Bashkimit Evropian (BE) dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA). Ndërsa Kosova, edhe pse viktimë e gjenocidit serb, është vendosur para një tribunali apo para një gjykate speciale, e cila vetëm mund të thuhet se është pjesë e sistemit juridik të Kosovës por që, në fakt, është gjykatë 100 për qind ndërkombëtare dhe kjo e ka sjellë vendin tonë në një situatë shumë të vështirë. Po ashtu, kjo gjykatë e ka bërë një përçarje të madhe midis shqiptarëve. Dikush është gëzuar, dikush është hidhëruar nga kjo gjykatë apo ka edhe të atillë që mendojnë të përfitojnë politikisht nga kjo situatë. Aktakuzat e kësaj gjykate kanë shkaktuar edhe krizën rreth pozitës të presidentit duke e futur Kosovën në një rrugë qorre. Tani e gjitha çfarë ka mbetur është që të shpresohet se mos administrata e re amerikane, ajo e Joe Bidenit, do të ndikojë në mënyrë që kjo situatë të përmirësohet apo Kosova ta kthejë pozitën të cilën e ka pasur më herët.

“Epoka e re”: Cilat janë pritjet e juaja nga ky proces gjyqësor?
Shala: Si Këshill për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), por edhe si drejtor i këtij këshilli nuk e prezumojmë pafajësinë e askujt. Ne nuk themi se dikush është apo nuk është fajtor. Kjo është çështje e gjykatave. Ne angazhohemi që të akuzuarit ta kenë një proces gjyqësor të pandikuar, të drejtë dhe të kenë mundësi të mbrohen nga akuzat që i ngarkon Prokuroria e Gjykatës Speciale. Kjo është puna jonë. Përndryshe ne nuk mund të paragjykojmë se cili mund të jetë epilogu i kësaj gjykate. Realisht këtë nuk mund ta parashikojë askush. Këtë mund ta bëjë vetëm dikush i cili është pjesë e kurdisjes së një procesi, i cili mund ta dijë paraprakisht se cili do të jetë epilogu i atij procesi gjyqësor. Pra, ky është një proces i gjatë, ku do të ketë përballje edhe të prokurorisë edhe të mbrojtjes, gjithashtu edhe të dëshmitarëve dhe të dëmtuarve. Dhe, krejt në fund, Gjykata Speciale do të duhej ta merrte një vendim në përputhje me provat e paraqitura. Prandaj, çdokush që del me një parashikim, siç ka dalë kryeprokurori i kësaj gjykate, Jack Smith, i cili ka thënë se Hashim Thaçi do të dënohet me burgim të përjetshëm, është paragjykues dhe ndërhyrës dhe këtu ka përpjekje për të ndikuar në Gjykatën Speciale. Po me këtë deklaratë ai ka për qëllim që ta shtrembërojë opinionin edhe pse ai nuk ka të drejtë ta japë një deklaratë të tillë.

“Epoka e re”: KMDLNj-ja, të cilën e drejtoni ju, ka denoncuar publikisht kryeprokurorin e Gjykatës Speciale, Jack Smith, për ndërhyrje në procesin gjyqësor. Për çfarë ndërhyrjesh e keni fjalën?
Shala: Siç e thashë më parë, në një deklaratë apo në një intervistë kryeprokurori i Gjykatës Speciale ka deklaruar se Hashim Thaçi duhet të dënohet me burgim të përjetshëm. Kjo nuk është puna e tij. Puna e tij është që ta parashtrojë aktakuzën dhe ta mbrojë atë duke u ballafaquar me mbrojtjen. Po ashtu, puna e tij është që ta mbrojë interesin e viktimës, pastaj gjykata vendos se kush ka faj apo kush është i pafajshëm. Pra, ai (Jack Smith) nuk ka të drejtë të thotë as do të dënohet e as do të lirohet dikush. Kjo nuk është kompetencë e tij. Deklarata e tij është një përpjekje për të ndërhyrë në procesin gjyqësor dhe për të krijuar një opinion të pambështetur në një vendim gjyqësor. Për këtë arsye kemi vlerësuar se deklarata e tij është e papranueshme. Asnjë gjykatë për krime lufte që nga Gjykata e Nurembergut, Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë, Gjyqi Special në Ruandë, Sudan, Liban nuk ka vepruar kështu, ku pasi janë ngritur aktakuzat, të bëhet apel që të lajmërohen dëshmitarët dhe të dëmtuarit. E kemi një aktakuzë dhe e kemi një proces gjyqësor që ka filluar dhe prokuroria merret me çështjet të cilat i ka parashtruar në aktakuzë. Mirëpo po e shihni se Gjykata Speciale vetëm formalisht është gjykatë e Kosovës, por nuk funksionon sipas ligjeve tona. Nuk u jep llogari institucioneve të Kosovës dhe nuk e ka asnjë shenjë që e identifikon me Kosovën. Materialet e punës janë në gjuhën angleze, shqipe dhe serbe. Ju e keni dëgjuar Meliza Haradinaj-Stublla se institucionet e Kosovës me Gjykatën Speciale komunikojnë vetëm me nota verbale. Komunikimi me nota verbale është komunikim vetëm i shtetit me shtet. A keni dëgjuar që Ministria e Drejtësisë të komunikojë me notë verbale me institucionet e tjera të shtetit të Kosovës, duke përfshirë Gjykatën Supreme apo atë të Apelit?!  Pra një gjë e tillë është praktikë e komunikimit të dy shteteve. Prandaj ne e kemi vlerësuar në këtë aspekt se kryeprokurori Jack Smith i ka tejkaluar kompetencat e veta. Ai nuk ka të drejtë ta paragjykojë fajësinë e askujt sikurse nuk ka të drejtë ta paragjykojë as pafajësinë e askujt, sepse nëse prokuroria do të thoshte se dikush është i pafajshëm, atëherë ndaj tij ose atyre nuk do të ngrihej ndonjë aktakuzë.

 “Epoka e re”: Çfarë ndikimi mund të ketë procesi gjyqësor në Hagë në raport me të ardhmen e Kosovës?
Shala: Ky proces gjyqësor e ka dëmtuar Kosovën mjaft. Si KMDLNj gjithmonë kemi qenë në anën e viktimave. Ne asnjëherë nuk kemi dashur t’i ndajmë viktimat në bazë të përkatësisë etnike, politike, fetare apo në bazë të statusit shoqëror. Pra, viktimën e kemi trajtuar si viktimë dhe gjithmonë kemi kërkuar drejtësi, sikurse kemi kërkuar edhe përgjegjësi për ata që kanë bërë krime, po me të njëjtat parime. Kurrë nuk kemi thënë se dikush është i fajshëm apo i pafajshëm, por ia kemi lënë gjykatës të vendosë. Tash kjo gjykatë po e shkel parimin e trajtimit të viktimave në mënyrë të barabartë. Kjo gjykatë është duke diskriminuar viktimat, ku 95 për qind e viktimave nga lufta janë të përkatësisë kombëtare shqiptare dhe të cilat nuk janë duke u trajtuar.  Realisht edhe viktimat e tjera duhet të trajtohen, por disa viktima që janë përmendur në aktakuzë janë vrarë nga vetë regjimi serb. Pra, ky proces gjyqësor do të ishte në rregull sikur Gjykata Speciale do t’i trajtonte të gjitha rastet e mbetura nga Tribunali i Hagës, UNMIK-u dhe EULEX-i. Ne do të insistojmë që të trajtohen të gjitha krimet, por në qoftë se bëhet një prerje duke diskriminuar një pjesë të madhe të viktimave dhe duke amnistuar pjesën dërrmuese të atyre që kanë bërë krime, atëherë këtë gjykatë nuk mund ta vlerësojmë si të drejtë në asnjë mënyrë, sepse nuk siguron drejtësi për viktimat dhe nuk i trajton ato në mënyrë të barabartë.

“Epoka e re”: Z. Shala, aktakuzat e Speciales kanë bërë që Thaçi të japë dorëheqje nga posti i presidentit, duke e lënë Kosovën me ushtruese të detyrës së shefes së shtetit. Në këtë drejtim, a kanë kapacitet partitë parlamentare që ta zgjedhin një president të ri pa shkuar në zgjedhje?
Shala: Realisht e kemi një situatë politike e cila kërkon zgjidhje. Sipas meje, partitë politike duhet të ulen dhe të bëjnë përpjekje për ta zgjedhur presidentin. Në qoftë se nuk arrijnë një marrëveshje procedurale për presidentin, atëherë partitë politike do të duhej të merren vesh për datën e zgjedhjeve, të cilat do të duhej të mbaheshin jo më herët se në muajin qershor të vitit 2021. Për shkak të situatës dhe procedurave, është e pamundur të mbahen zgjedhjet para kësaj kohe. Në anën tjetër, e kemi një situatë ku disa parti politike janë të interesuara t’ia shkurtojnë mandatin ushtrueses së detyrës së presidentes, ndërsa disa të tjera janë të interesuara që Vjosa Osmani të qëndrojë në këtë pozitë. Unë mendoj se disa parti do të bëjnë përpjekje maksimale që ta gjejnë një kandidat për president në mënyrë që ta nxjerrin Vjosa Osmanin nga zyra e presidentit, të cilën në asnjë mënyrë nuk mund ta paramendojnë në atë zyrë qoftë edhe si ushtruese e detyrës së presidentit. Pra ata do të bëjnë përpjekje që ta zgjedhin presidentin e ri. Në anën tjetër, pas zgjedhjeve në Podujevë që do të mbahen këtë javë, do ta kemi një situatë më të qartë sepse PDK-ja është duke luajtur një rol enigmatik politik. PDK-ja është duke e përdorur taktikën “as mish e as peshk”, pra as në pozitë e as në opozitë. Ju e keni parë se kohën e fundit ka një lloj koketimi në mes të LDK-së dhe të PDK-së për një koalicion të mundshëm. Në këtë kontekst, PDK-ja ka vendosur të mbetet në opozitë, ndonëse unë kam dyshime të mëdha sepse tani kemi një situatë krejtësisht të re. PDK-ja nuk duhet të deklarohet se është e interesuar për postin e presidentit apo ta vë si kusht për ndonjë koalicion në të ardhmen me LDK-në këtë post. PDK-ja është duke prekur në “kulaç” dhe vlerësoj se brenda kësaj partie ka të interesuar që të hyhet në koalicion me LDK-në dhe kjo ndoshta e krijon mundësinë që PDK-ja si kompensim të pozitës të presidentit mund t’i marrë disa ministri të fuqishme, ndërsa postin e presidentit t’ia lë qoftë AAK-së apo dikujt tjetër.

Albulena S. MAVRAJ

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
AC Milani kërkon të transferojë në verë një sulmues krahu…