Aktakuzë ndaj tre personave për fajde në Prizren

05 nëntor 2026 | 09:03

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, të dyshuar për fajde dhe manipulim me prova, në një rast ku dyshohet se të dëmtuarve u është shkaktuar dëm financiar prej 140 mijë eurosh.

Sipas njoftimit, aktakuza është ngritur nga Departamenti i Krimeve të Rënda ndaj B.K. dhe F.S., ky i fundit që gjendet në arrati, për veprën penale “Fajdeja”, si dhe ndaj H.T., për veprën penale “Manipulimi me prova”.

Sipas aktakuzës, B.K. dhe F.S. dyshohet se, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare dhe papërvojën e të dëmtuarit L.S., i kanë dhënë atij hua në shuma të ndryshme parash, duke vendosur kamata dhe provizione mujore dukshëm joproporcionale me shumat e huazuara.

Përmes marrëveshjeve të njëpasnjëshme të huadhënies dhe kërkesave për shlyerjen e borxheve, të dyshuarit dyshohet se kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash, ndërsa të dëmtuarit L.S. dhe babait të tij, M.S., u kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 140 mijë eurosh.

Ndërkaq, H.T. dyshohet se në prill të vitit 2024, në Suharekë, kishte marrë nga M.S. origjinalin e marrëveshjes së huasë ndërmjet B.K. dhe L.S., me arsyetimin se do t’ia prezantonte B.K.-së.

Megjithatë, sipas Prokurorisë, pasi ia kishte prezantuar dokumentin, ai e kishte shkatërruar atë dhe e kishte bërë të papërdorshëm, me qëllim që të pamundësonte përdorimin e tij në procedurë penale.

Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
YouTube po zhvillon në fshehtësi një projekt eksperimental me emrin…