Akuareli emocional i një poezie

11 nëntor 2025 | 08:18

Sadik Krasniqi

Sevëme Fetiqi, Imazhe të ringjallura (poezi), Sh. B. Beqir Musliu, Gjilan, 2012

Të bësh një qasje leximi për interpretim të poezisë së Sevëme Fetiqit është një kënaqësi me drojë. Veçanërisht kjo vjen në shprehje te libri i ri Imazhe të ringjallura, ngaqë qartësia e saj në të shprehur ka shumëkuptimësinë në të perceptuar dhe interpretuar, veçori kjo e poezisë moderne. Sevëme Fetiqi e ka hetuar dhe ndier pritjen bukur të gjatë të lexuesve të saj, bërjen dritë të librit të ri, andaj si në titull edhe përbërje lëndore ajo na vjen me imazhe të ringjalluara. Imazhet e librit Imazhe të ringjallura vërtet janë motive, ide, tema, të riardhura si palimpseste, me një frymë të re të të shprehurit poetik me figura të shumta letrare përmes gjuhës së pasur me stil të lartë. Ndërsa në librin e parë Kurorë e kaltër (1985) shquhet skofiariteti dhe brishtësia e vashërisë së një të reje plot dashuri dhe optimizëm, në librin e dytë Dëshmia e kthimit tim (1989) veçohet nostalgjia dhe malli i një mërgimtareje; në librin e tretë shfaqet një botë me një frymë dhe shpirt disi më të shqetësuar. Libri Imazhe të ringjallura procedohet në cikle të paemëruara, por të shenjura me motocitate të cilat nuk janë ndërtekstore, po përmbajnë sintezën e gjithë ciklit.

Në ciklin e parë dominojnë temat dhe motivet që kanë të bëjnë me atdheun dhe me njerëzit e panteonit të lirisë. Andaj ky cikël mund të quhet edhe cikël përkushtimor. Te këto poezi kemi shpesh emrin Kosovë, Flamur, Jusuf, Bardhosh, Kadri; Adem, Atdhe, liri, Shqipëri etj. Shpesh autorja identifikohet me atributet e qenies së atdheut. Bëhet matamorfozë.

Në këtë cikël kemi poezi të bukura me të cilat subjekti­vizohet filozofia e jetës e ndërtuar me kontraste emocio­nale.

A jam zjarr në akull

apo akull në zjarr

 

Apo muranë kënge

heshtur me gjurmë të vrarë

(Kush jam unë)

Si duket te krijuesit e mërgimit është i pashmangshëm motivi i kurbetit, andaj në ciklin e dytë dominon kjo temë. Poetja në poezitë e kësaj natyre krijon situata, gjendje të mveshura emocionalisht deri te transcendentalja.

Nuk e di Blerta ku ta gjej atë pastel

t’ua jap ngjyrën e vërtetë

premtimeve të mia.

Poezitë e ciklit të tretë janë refleksive, meditative të përshkruara si palimpseste mbi premisat e urtësisë popu­llore. Te këto poezi vjen në shprehje ironia e fatit. Këtu poetja shpërfaq humbjen e identitetit dhe dinjitetit kom­bëtar e njerëzor. Këtu shfaqen ironikisht dhe me shqetë­sim dilemat e frustrimet e njerëzores në antinjerëzore.

Poetja shprehet me ironi:

Sot vras një zog

nesër më quajë bamirëse apo

 

Tani pikturoj shëmtinë

nesër ujis lulet.

Në këto poezi vjen në shprehje lirizmi subjektiv i shpre­hur në mënyrë mjaft fine përmes figurave të shumta letrare të përzgjedhura mirë. Edhe pse poezitë e Sevëmes kanë një ndarje formale në cikle, ato prapëseprapë kanë unitetin e tyre tematik, figurativ, stilistik e gjuhësor, andaj cikli i fundit na del si një rezyme e motive të sinqerta për vendlindjen dhe të afërmit e poetes. Këtu përshkruhet atmosfera emocionale e kohës dhe e ambientit me të gjitha rekuizitat qiellore e tokësore. Këtu gjejmë: hënë, vjeshtë, lumë, gëzim, dhembje, dëshpërim, shpresë, të gjitha këto të pikturuara poetikisht me akuarel emocional.

Ne që lexojmë njëri-tjetrin kemi edhe botën e ndijimit krejt të përbashkët, andaj Sevëmja me poezitë e saj sikur ndan dhimbjen dhe gëzimin e jetës me të sinqertit e saj, përmes formës më të përsosur – fjalës.

Dekodimi i kodit poetik të Sevëmes mund të bëhet vetëm përmes çelësit të përjetimit.

Ëndrrat e mia janë një ishull magjik

ku mund të zgjas pa kufi një mrekulli

 

Zemra ime është një vend i shenjtë

ku mund të zgjas amshueshëm një dashuri…

Janë këto vargje të bukura me të cilat poetja bën transformimin e vet emocional të lexuesit dhe adhuruesit e poezisë së saj që dita-ditës shtohen dhe identifikohen si lexues permanentë.

Në fund vlen të theksohet se ky libër poetik është laureat i çmimit të dytë letrar “Azem Shkreli” që u jepet krijuesve në mërgim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sadik Krasniqi Salih H. Haliti, Merr pak frymë nga fryma…