Akuza e mbrojtjes për dëshmitarin e rrejshëm të lidhur me Serbinë dhe largimi befas i kryeprokurorit Jack Smith

20 dhjetor 2022 | 19:23

Dokumentari i titulluar “Dosjet Speciale – Historia e bashkëpunimit të Serbisë me Gjykatën Speciale”, i prodhuar nga Opinion / TV Klan dhe Albanian Post, sjell momente nga avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, si dhe pjesë nga parashtresa e tij e publikuar më pas që sqaron një dëshmi të rrejshme në Gjykatën Speciale.

Një pjesë e shkëputur nga dokumentari:

Shqetësimet për rrezikun e cenimit të procesit gjyqësor kundër krerëve të UÇK-së, për shkak të materialeve që burojnë nga shteti serb, duket se nuk përfundojnë me kaq. Ato shkojnë përtej.

Avokati britanik Ben Emmerson, në një moment të seancës së fundit statusore – që ishte një pjesë e shkurtër e paredaktuar – ka përmendur falsifikime jo vetëm nga shërbime sekrete serbe, por edhe nga ato ruse.

“Shkëlqesia juaj, në dritën e çështjeve që janë diskutuar në seancën e mbyllur, më lejoni të tregoj, zyrtarisht në procesverbal, se po bëj aplikimet e mëposhtme. Sigurisht, ato do të ndiqen, sipas rastit, me aplikime me shkrim. Së pari, mendoj se mund të trajtohet si një urdhër gojor, që është se Shkëlqesia juaj mund ose duhet të shtyjë shqyrtimin e mëtejshëm të materialit të Rregullës 103 në lidhje me fabrikimin e shërbimit sekret serb derisa të keni marrë informacione të plota, si nga mbrojtja ashtu dhe Prokuroria, duke shpjeguar atë që në pamje të parë është një rrjedhë e pashpjegueshme e ngjarjeve në lidhje me çështjet e ngritura në seancën private. Kjo pa dyshim do të përfshijë – Shërbimin Sekret Serb. Ne do ta ndryshojmë atë për arsyet që kam prekur, për të përfshirë edhe Shërbimin Sekret Rus. Së dyti, do të kërkojmë një urdhër që Shkëlqesia juaj t’i rishikojë vendimet e lirimit të përkohshëm në të gjitha rastet, sigurisht në rastin e z.Veseli, në dritën e disa provave të referuara në seancë të mbyllur…”, ka deklaruar Emmerson

Pas kësaj fjalie, seanca u bë krejtësisht private dhe e redaktuar.

Ben Emmerson ishte duke thënë se në dritën e disa dëshmive të rëndësishme do të kërkonte lirimin me kusht të të akuzuarve, kur transmetimi i seancës u ndërpre, fjala e tij mbet në gjysmë dhe opinioni nuk kuptoi shumë.

Por, një shkresë e tij, e publikuar më pas, zbuloi se në këtë seancë ai kishte adresuar dëshminë e rrejshme të një dëshmitari që ishte paraqitur në Gjykatën Speciale me akuza kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit lidhur me rrjedhjen e dokumenteve nga Haga.

Ky dëshmitar, më pas, ishte tërhequr nga deklaratat e tij dhe kishte pohuar se ishte nxitur të gënjente nga një person tjetër. Të dy këta, sipas mbrojtjes, kishin lidhje me Shërbimin Sekret Serb.

“(Redaktuar) tërhoqi deklaratën e tij të mëparshme, duke rrëfyer se ai ishte ushqyer me informata nga një person i quajtur (redaktuar) i cili bashkëpunon ngushtë si me Inteligjencën Serbe ashtu edhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar”.

“Në zemër të rastit të Prokurorisë në dukje është një ndërmjetësues i besueshëm, i cili ka udhëzuar një dëshmitar të dalë me gënjeshtra, në të cilat Prokuroria është mbështetur dhe i ka përsëritur publikisht në dëm të të akuzuarve. Akuza të tilla janë potencialisht katastrofike për integritetin e rastit të Prokurorisë”, thuhet në parashtresën e Ben Emmerson, e publikuar në faqen e Dhomave të Specializuara.

Skandali i shpërthyer në Gjykatën Speciale nuk përfshin vetëm një dëshmitar të rrejshëm. Mbrojtja ka përmendur edhe një rrjet të dëshmitarëve të dërguar në Gjykatën Speciale nga një individ, një alarm ky i madh.

“(Redaktuar) del të jetë qendra e një rrjeti të dëshmitarëve të cilët ai i kishte ofruar direkt ose indirekt në Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Mbrojtja ka të dhëna për 15 kontakte që (redaktuar) ka pasur me Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të cilat datojnë prej (redaktuar) 2017”.

“Sipas vlerësimit të mbrojtjes, (redaktuar) ka ngritur pretendime dhe ka dhënë komente për më shumë se 60 individë gjatë bisedave të tij me Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Në mënyrë rutinore, ai ka ofruar ose pretenduar ta vë Zyrën e Prokurorit të Specializuar në kontakt me persona relevantë për hetimet”, thuhet në parashtresën e avokatit të Kadri Veselit.

Një shkresë e ngjashme lidhur me këtë çështje është bërë edhe nga ekipi mbrojtës i Hashim Thaçit.

Dy javë pas këtij zhvillimi, befas Jack Smith u largua nga Haga. Pa u ballafaquar me këtë skandal dhe duke e lënë prapa një proces të kontaminuar – që ngre dyshime serioze për kredibilitetin e dëshmive dhe tund themelet e drejtësisë ndërkombëtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se gjatë takimit në…