
Albert Krasniqi hedh dyshime mbi procedurën e votimit të Rashiqit
10 tetor 2025
| 13:42
Albert Krasniqi nga organizata Demokraci Plus ka hedhur dyshime nëse mënyra se si u votua Nenad Rashiqi nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga pakica serbe, është e ligjshme.“Kur përfundojnë tre raunde votimi për të gjithë kandidatët e propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, procedura rinis për ditët e mbetura brenda afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit. Në këtë rast, shumica e deputetëve të komunitetit serb nuk e kanë refuzuar të drejtën për të propozuar kandidatin, prandaj mekanizmi i ‘shortit’ nuk ka mundur të aktivizohet”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.
Kryetari i Kuvendit i Kosovës, Dimal Basha, ka thirrur procedurën e shortit për propozimin e Rashiqit, pasi të gjithë kandidatët e Listës Serbe dështuan t’i merrnin votat e nevojshme dhe Igor Simiq nga kjo parti nuk e propozoi Rashiqin.
“Ajo që ka ndodhur sot në praktikë është se kandidati për nënkryetar nuk është propozuar nga shumica e deputetëve të komunitetit serb, siç parashihet, por nga deputetët e shumicës”, ka thënë Krasniqi, njohës i çështjeve politike dhe kushtetuese.