Albin Kurti vendos të reagojë për rrahjen e Visar Duriqit

25 shkurt 2021 | 19:35

Kandidati për kryeministër i VV-së, Albin Kurti përmes një shkrimi në llogarinë e tij në facebook, ka reaguar më në fund ndaj sulmit të gazetarit Visar Duriqi.

Kurti ka thënë se ka mbaruar koha e atyre që mendojnë se demokracia mund të ndalet me “gangsterizëm”.

Tutje, ai i uroi shërim të shpejtë gazetarit Visar Duriqi.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë:

Qeveria kujdestare rekordeve të veta të këqija po u shton edhe atë të problemeve me rendin publik. Rrahja e familjarëve të politikanëve për shkak të qëndrimit të tyre politik, rrahja e gazetarëve për shkak të punës dhe fjalës së tyre, janë fenomene negative që populli i Kosovës nuk i duron. Qeveria e ardhshme e konsideron si mision ruajtjen e demokracisë dhe të lirisë së fjalës, bindjes e veprimtarisë politike, sipas ligjit. Ata që mendojnë se mund ta ndalin demokracinë me gangsterizim, le ta dinë se koha e tyre ka perënduar. Njëri-tjetrin mund “ta mundim” vetëm me fakte, me argumente, me logjikë e me mjete demokratike. U bëj thirrje forcave të rendit që me profesionalizëm e angazhim të vënë sa më shpejt para përgjegjësisë dhunuesit.

I uroj shërim të shpejtë e rikthim në detyrë gazetarit Visar Duriqi.

Kurti, i cili pritet ta udhëheqin Kosovën pas fitores në zgjedhjet e përgjithshme paralamentare të 14 shkurtit, nuk ka reaguar personalisht lidhur me sulmin brutal ndaj gazetarit Visar Duriqi deri tash, derisa sulmi i Duriqit kishte ndodhur mbrëmë vonë.

Për mosreagimin e Kurtit ka reaguar edhe njohësi i çështjeve politike, Petrit Zogaj. Ai ka thënë se disa njerëz në LVV mendojnë se Visar Duriqi meriton të rrihet në atë mënyrë.

“Shume mire qe Albin Kurti nuk po reagon per dhunen e ushtruar ndaj Visar Duriqit. Visar me raste ka qene kritik ndaj LV-se dhe Kurtit. Me nje fjale, e meriton ate rrahje, nese jo me shume. Pra, ky eshte mendimi i njerezve ne LV, nje pjese te madhe te tyre. Por, mos te harrojme qe nese Kurti dhe LV e arsyeton kete rrahje, nje dite, pushteti i Kurtit do te merret edhe me mbeshtetesit e tij, e ndoshta atehere do te jete vone per me kerku mbeshtetje. Pamjet qe pashe te Visarit, tregonin per tentim-vrasje, jo vetem dhune keshtu ne pergjithesi”, ka shkruar Zogaj.

Reagimi i fundit i Kurtit për akte të tilla dhune, ka qenë të hënën, kur u sulmua Nikolla Rashiq – djali i politikanit serb, Nenad Rashiq.

Kurti rreth një orë pas sulmit ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke thënë se sulmi ndaj djalit të Rashiqit mund të jetë i organizuar dhe ka të bëjë me veprimtarinë e babait të tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i LDK-së, Arban Arbrashi, ka thënë që 14 marsi…