Albin Kurti zgjedhet kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, me 98.82% të votave të fituara

22 janar 2018 | 03:32

Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur rezultatet preliminare të votimit të brendshëm për kryetar të organizatës, sipas të cilave Albin Kurti është zgjedhur kryetar i VV-së, duke fituar 98.82 për qind të votave.

Sipas njoftimit të Lëvizjes Vetëvendosje, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm konstaton se në këtë proces votimi për kryetar të partisë janë shënuar rekorde në pjesëmarrjen e anëtarëve në zgjedhje në shumicën e Qendrave të Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë si dhe në Qendrat në mërgatë, qoftë sa i përket numrit të votave qoftë në përqindjen e pjesëmarrjes

Sipas rezultateve të shpallura nga Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm për kandidatin për kryetar, Albin Kurti kanë votuar 98.82%, kundër 0.61%, abstenim 0.57% dhe të pavlefshme 0.26%

“Me këtë rast, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm faleënderon të gjithë aktivistët e përfshirë në menaxhimin dhe administrimin e zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për përkushtimin e tyre në mbarëvajtjen e këtij procesi, si dhe falënderojmë të gjithë anëtarët që kanë shprehur sot të lirë vullnetin e tyre mbi të ardhmen e organizatës”.

“I jemi gjithashtu mirënjohës stafit të Komisionit Qendror Zgjedhor të Republikës së Kosovës dhe të Komisioneve Komunale Zgjedhore, për asistencën dhe materialet e votimit të vëna në dispozicion anekënd Kosovës për zhvillimin e procesit të zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Visar Ymeri, Dardan Molliqaj e Dardan Sejdiu janë në mesin e atyre që nuk votuan. Shpend Ahmeti zgjodhi të dalë në votime pak minuta para mbylljes së vendvotimeve. Ndërkohë, po ky grup, i kryesuar nga ish-shefi i VV-së Visar Ymeri, thuhet se do të formojnë parti të re. Lidhur me bisedat për parti të re, Dardan Molliqaj, ish-sekretar partie, u akuzua edhe nga Ismajl Kurteshi, i cili tani mban po këtë pozitë në VV.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeredaktori i gazetës së përditshme “Epoka e re”, Mal Qorraj…