Albulena Balaj dhe Nezir Çoçaj rreshtohen krah Nait Hasanit
Ish-bashkëpartiakët Albulena Balaj – Halimaj dhe Nezir Çoçaj kanë shprehur mbështetjen e tyre për kandidatin e PDK-së për deputet, Nait Hasanin, i cili garon me numrin 42 në listën zgjedhore. Përmes një postimi publik, Balaj vlerësoi figurën dhe kontributin e Hasanit ndër vite, duke i bërë thirrje qytetarëve që ta mbështesin në zgjedhjet e ardhshme. “Bashkë me Nezën u takuam sot me mikun tonë Naitin. Nait Hasani është një nga figurat më të njohura të luftës dhe politikës në Kosovë. Ish i burgosur politik, themelues i UÇK-së, ambasador dhe deputet për disa mandate, ai ka mbetur i përkushtuar ndaj çështjeve kombëtare dhe interesit të qytetarëve. Me përvojën, qëndrueshmërinë dhe angazhimin e tij ndër vite, Nait Hasani vazhdon të kërkojë besimin e qytetarëve për ta përfaqësuar Kosovën në Kuvend”, ka shkruar Balaj. Ajo ka theksuar se përvoja politike dhe angazhimi i Hasanit në shërbim të vendit e bëjnë atë një prej kandidatëve me profil të spikatur në garën zgjedhore.



