Aleatët evropianë: Pa Ukrainën nuk mund të ketë paqe me Rusinë

10 gusht 2025 | 10:13

Aleatët kryesorë evropianë kanë rikonfirmuar mbështetjen e tyre për Ukrainën, duke theksuar se çdo bisedim paqeje me Rusinë duhet të përfshijë detyrimisht Kievin.

Deklarata vjen ndërsa presidenti amerikan Donald Trump pritet të takohet të premten në Alaskë me presidentin rus Vladimir Putin.

“Nuk mund të vendoset rruga drejt paqes në Ukrainë pa Ukrainën,” thuhet në deklaratën e përbashkët të liderëve të Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Italisë, Gjermanisë, Polonisë, Finlandës dhe Komisionit Evropian.

Presidenti Volodymyr Zelensky paralajmëroi se çdo marrëveshje e arritur pa pjesëmarrjen e Ukrainës do të ishte “një vendim i vdekur”. Shtëpia e Bardhë njoftoi se Trump mund të ishte i gatshëm të zhvillonte një takim trepalësh me Putinin dhe Zelenskyn, por deri më tani takimi mbetet vetëm mes dy liderëve, siç kishte kërkuar Moska.

Trump ka sugjeruar se negociatat mund të përfshijnë “shkëmbime territoriale”, një ide që u kundërshtua ashpër nga Zelensky. “Nuk do ta shpërblejmë Rusinë për atë që ka kryer,” tha ai. “Çdo vendim kundër nesh, çdo vendim pa Ukrainën, është edhe kundër paqes.”

Sipas raportimeve të mediave amerikane, Shtëpia e Bardhë po përpiqet të bindë disa vende europiane të pranojnë një marrëveshje ku Rusia do të mbante të gjithë rajonin e Donbasit dhe gadishullin e Krimesë. Ndërkohë, Ukraina dhe disa fuqi europiane kanë paraqitur një plan alternativ, duke kërkuar që çdo tërheqje nga territori të jetë e ndërsjellë.

Liderët europianë theksuan se një zgjidhje diplomatike është thelbësore, jo vetëm për të mbrojtur Ukrainën, por edhe sigurinë e vetë Europës. Presidenti francez Emmanuel Macron paralajmëroi se kontinenti nuk mund të përjashtohet nga bisedimet, pasi “siguria e tij është në rrezik”.

Ndihmësit më të lartë të Zelenskyt, në takime me zëvendëspresidentin amerikan JD Vance në Londër, nënvizuan se paqja e qëndrueshme mund të arrihet vetëm me Ukrainën në tryezën e negociatave.

Samiti i Alaskës, një territor që Rusia ia shiti SHBA-së në vitin 1867, do të ishte takimi i parë mes një presidenti amerikan dhe atij rus që nga qershori i vitit 2021, kur Joe Biden u takua me Putinin në Gjenevë. Në më pak se një vit, Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës, duke shpallur në vitin 2022 aneksimin e katër rajoneve ukrainase: Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson, pavarësisht se nuk i ka nën kontroll të plotë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas burimeve jozyrtare, në samitin që pritet të mbahet në…