Ali Ahmeti: Nuk bëjmë kompromis për postin e kryeministrit

19 korrik 2020 | 21:50

Lideri i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmeti, ka deklaruar se BDI-ja nuk do të bëjë kompromis me postin e kryeministrit në negociatat për formimin e qeverisë së re.

Ai ka deklaruar se ka ardhur koha që Maqedonia e Veriut ta ketë kryeministrin shqiptar. Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Ahmeti ka thënë se Maqedonia e Veriut u takon edhe shqiptarëve dhe se duhet të bëhet një kthesë e madhe në këtë drejtim.

“Ne nuk bëjmë kompromise me çështje të mëdha”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka deklaruar se një kryeministër shqiptar për Maqedoninë e Veriut do të ishte një mesazh i mirë për gjitha komunitetet e këtij vendit, rajonin dhe bashkësinë ndërkombëtare. Sipas Ahmetit, Maqedoni sa iu takon të tjerëve, u takon edhe shqiptarëve.

“Ne e kemi në programin tonë zgjedhor që kryeministri i Maqedonisë së Veriut duhet të jetë shqiptar. Pra, duhet të bëhet një kthesë e madhe në këtë vend sepse ky shtet është edhe i shqiptarëve. Duhet t’i jepet fund monoetnisë për kreun e qeverisë. Ky vend, sa iu takon të tjerëve, na takon edhe ne shqiptarëve. Sa kanë përgjegjësi të tjerët, po aq përgjegjësi kemi edhe ne. Do të ishte një porosi e mirë për rajonin dhe për komunitetin ndërkombëtar”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka deklaruar se asnjë prej partive të tjera shqiptare nuk ka dalë kundër idesë së tij për kryeministër shqiptar. Lideri i BDI-së ka paralajmëruar se shumë shpejt do të zhvillojë takime të drejtpërdrejta me partitë shqiptare për këtë çështje.

“Të gjitha subjektet politike shqiptare më përkrahin në këtë drejtim. Në ditët në vijim do të realizoj edhe takime të drejtpërdrejta me ta. Telefonata kam pasur me të gjitha subjektet politike shqiptare. Unë nuk dua të krijoj hegjemoni, por dua që disa konsulta t’i bëj edhe me partitë politike shqiptare”, është shprehur ai.

Në këtë intervistë Ahmeti ka treguar arsyet e fitores së BDI-së në zgjedhjet e fundit në Maqedoni. Ai ka thënë se oferta e BDI-së ishte më e mira për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. “Unë mendoj se fituan opsionet më të mira. Fitoi strategjia dhe platforma jonë sepse kemi qenë më të mirët në garë. Ne ua kemi shpjeguar shqiptarëve ofertën tonë dhe ata i besuan ofertës sonë. Mendoj se fitimtarë na ka bërë edhe puna e së kaluarës, por edhe platforma jonë për të ardhmen e cila ishte platforma më e mirë që iu paraqit qytetarëve”, ka thënë Ahmeti.

“Epoka e re”: Z. Ahmeti, BDI-ja ka shënuar fitore të rëndësishme në zgjedhjet nacionale në Maqedoninë e Veriut. Cili është vlerësimi juaj për këtë fitore?
Ahmeti: Në realitet kjo ishte një fitore e radhës sepse ne kemi pasur fitore numerikisht edhe më të mëdha përpara në zgjedhje. Por kjo është një fitore si më e këndshme, më e ëmbël, sepse kemi fituar në përballje 7 me 1. Pra, kanë qenë gati të gjithë kundër nesh, por ne prapë kemi fituar.

“Epoka e re”: Çfarë ka ndikuar që BDI-ja të fitojë në këto zgjedhje?
Ahmeti: Unë mendoj se fituan opsionet më të mira. Fitoi strategjia dhe platforma jonë, sepse kemi qenë më të mirët në garë. Ne ua kemi shpjeguar shqiptarëve ofertën tonë dhe ata i besuan ofertës sonë. Mendoj se fitimtarë na ka bërë edhe puna e së kaluarës, por edhe platforma jonë për të ardhmen e cila ishte platforma më e mirë që iu paraqit qytetarëve.

“Epoka e re”: Kjo është fitorja juaj e shtatë në zgjedhjet nacionale në Maqedoninë e Veriut. Pse shqiptarët e këtij shteti vazhdojnë t’i besojnë Ali Ahmetit dhe BDI-së ende?
Ahmeti: Ne vazhdimisht jemi përpjekur që njerëzit të mos i zhgënjejmë dhe të mos i dëshpërojmë me qeverisjen tonë. Ne nuk kemi qenë të tepruar në premtimet tona. Gjithnjë kemi premtuar atë që kemi mundur ta bëjmë. Njerëzit e kanë ditur kur mund të bëjmë dhe kur nuk mund të bëjmë më shumë. Pra, komunikimi i përhershëm me njerëzit dhe moszhgënjimi i njerëzve na ka bërë përherë fitimtarë. Gjithashtu, ne nuk kemi qenë jogrindavecë gjatë gjithë periudhave, ne jemi përpjekur që t’i bashkojmë njerëzit e jo t’i ndajmë. Nuk jemi shumë për t’u ndarë e për t’u përçarë. Pra, filozofia dhe motoja jonë ka qenë që sa më të bashkuar aq më të suksesshëm do të jemi për realizimin e qëllimeve tona. Kemi shumë halle të qytetarëve, shumë sfida dhe shumë punë për të bërë. Vërtet janë bërë shumë punë të mira, mirëpo ende ka shumë punë që presin për t’u bërë. Dhe për këto punë, si shpresë e vetme jemi ne Bashkimi Demokratik për Integrim për realizimin e atyre qëllimeve që i kanë shqiptarët në këto hapësira.

“Epoka e re”: A i keni filluar konsultimet për formimin e qeverisë së re?
Ahmeti: Tani ne jemi në qetësi. Jemi duke analizuar dobësitë që i kemi pasur dhe jemi duke ndërtuar strategjinë që parasheh hapat tanë për të ardhmen, qofshin ato për negociata, qofshin ato për platformat që duhet të zbatohen në të ardhmen për përparimin e mëtutjeshëm të shtetit, por edhe të proceseve në të cilat jemi duke punuar.

“Epoka e re”: Cilat do të jenë kërkesat e BDI-së për formimin e qeverisë së re? Është përmendur edhe posti i kryeministrit.
Ahmeti: Kjo çështje jo vetëm që është folur, por ne e kemi në programin tonë zgjedhor që kryeministri i Maqedonisë së Veriut duhet të jetë shqiptar. Pra, duhet të bëhet një kthesë e madhe në këtë vend, sepse ky shtet është edhe i shqiptarëve. Duhet t’i jepet fund monoetnisë për kreun e qeverisë. Ky vend, sa iu takon të tjerëve, na takon edhe ne shqiptarëve. Sa kanë përgjegjësi të tjerët, po aq përgjegjësi kemi edhe ne. Do të ishte një porosi e mirë për rajonin dhe për komunitetin ndërkombëtar, por do të ishte një porosi e mirë për të gjithë qytetarët që jetojnë në këtë vend. Sepse përgjegjësitë po i ndajmë në të gjitha drejtimet, deri edhe në drejtimin e shtetit.

“Epoka e re”: Pra, BDI-ja nuk do të hyjë në qeverinë e re pa e marrë postin e kryeministrit?
Ahmeti: Ne nuk bëjmë kompromise me çështje të mëdha.

“Epoka e re”: Besoni se maqedonasit janë në gjendje ta pranojnë një kryeministër shqiptar?
Ahmeti: Nuk kam dëgjuar arsye të forta e të qëndrueshme që mos ta pranojnë një gjë të tillë. Po të dëgjoja arsye të qëndrueshme mbase do të isha në një situatë që do të mendohesha edhe unë. Mirëpo nuk ka asnjë arsye të qëndrueshme në mënyrë absolute nga asnjëra palë.

“Epoka e re”: Po me partitë shqiptare, e keni diskutuar këtë çështje?
Ahmeti: Të gjitha subjektet politike shqiptare më përkrahin në këtë drejtim. Në ditët në vijim do të realizoj edhe takime të drejtpërdrejta me ta. Telefonata kam pasur me të gjitha subjektet politike shqiptare. Unë nuk dua të krijoj hegjemoni, por dua që disa konsulta t’i bëj edhe me partitë politike shqiptare.

“Epoka e re”: Dhe besoni se edhe ata do t’ju përkrahin në kërkesën tuaj, që Maqedonia e Veriut ta ketë kryeministrin shqiptar?
Ahmeti: Asnjëri nga këta nuk është deklaruar kundër një kryeministri shqiptar të Maqedonisë së Veriut.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka…