Ali Ahmeti për ngushëllime në familjet Fazliu-Podvorica
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka qëndruar sot në Dumosh të Besianës për ngushëllime te familja e Kimete Fazliu-Podvoricës, motrës së dëshmorëve Fahri dhe Bahri Fazliu.
Përmes një postimi në ‘Facebook’, Ahmeti ka vlerësuar lart kontributin dhe sakrificën e familjes Fazliu për lirinë e Kosovës, duke e cilësuar atë si një nga familjet simbol të qëndresës dhe flijimit për atdheun.

Ai theksoi se, krahas dëshmorëve që ranë për lirinë e vendit, edhe motrat dhe nënat shqiptare bartën me dinjitet peshën e qëndresës, duke dhënë një kontribut të çmuar në luftën çlirimtare dhe në rrugëtimin drejt lirisë.

Ahmeti u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjeve Fazliu dhe Podvorica, duke lutur që kujtimi për Kimete Fazliu-Podvoricën të mbetet i paharruar dhe sakrifica e kësaj familjeje të nderohet gjithmonë.



