Ali Ahmeti shënon 20-vjetorin e luftës në Sllupçan: Lapidari gati më 28 nëntor

02 maj 2021 | 21:37

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti i shoqëruar nga funksionar të lartë të partisë së tij, ministra e deputetë, sot në Sllupçan kanë shënuar 20-vjetorin e fillimit të luftës së UÇK-së dhe shpalljes së zonës së lirë të Karadakut.

Në këtë manifestim ku morën pjesë dhe familjarë të dëshmorëve, veteran, përfaqësues të ish-UÇK-së dhe personalitete të tjera, kryetari Ahmeti vendosi dhe gurthemelin e Kullës përkujtimore e cila po ngritet në përkujtim të historisë më të ndritshme të këtij vendi e të kësaj zone, e në veçanti në përkujtimin e heroizmit të nënave shqiptare të cilat kanë qëndruar stoikisht në përkrahje të UÇK-së.

Ky është fjalimi i plotë i Ahmetit:

“Të nderuar vëllezër e motra, shumë të dashura familje të dëshmorëve, të dashur ushtarë e ushtare të ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Sot po rrumbullakohen 20 vite që ky vend ushtonte nga granatat, raketahedhësit, por kjo zonë dhe ky popull qëndroi heroikisht i rreshtuar si një karikator përballë të gjithë agresorëve.

Sot është një ditë e veçantë, duhet të përkujtojmë të gjithë të rënët, nga drejtuesit e ushtrisë e deri tek ushtarët më të ri.

Ky monument që sot po vëmë gur themel, po ngritët në përkujtim të historisë më të ndritshme të këtij vendi e të kësaj zone, po ngritët përjetësisht për t’i kujtuar ata sepse gjaku i tyre ishte dritë për ne e për popullin.

Ky monument po ngritët në përkujtim të nënave të të gjithë komunës së Likovës, të grave, të motrave. Ne luftën nuk e humbëm përballë kundërshtarëve që kishim, ne këtu luftën e humbë me nënat, motrat e gratë që ato nuk dilnin nga llogoret edhe përkundër lutjeve dhe ultimatumeve tona, ato dhanë shembullin më autentik të nënës shqiptare që historikisht ka qenë e rreshtuar për liri, drejtësi e barazi, prandaj ky monument u dedikohet pikërisht atyre.

Përpara nesh ka përgjegjësi të mëdha ne duhet të bëjmë realitet të gjitha ëndrrat e heronjve e të dëshmorëve. Kemi arritur mjaft, por akoma përpara nesh ka edhe shumë punë për tu bërë. Përpjekjet tona, angazhimi ynë kurrë nuk do të ndalet në jetësimin e idealeve të gjeneratave të tëra që kanë sakrifikuar e punuar për ditë më të mira e më të bardha, prandaj jo vetëm në përvjetor, por në çdo moment ne kujtojmë të gjithë ata breza, ne kujtojmë të gjithë ata bashkëluftuar e të rënë që veprat e tyre mos të ngecin por të jetësohen e të materializohen ashtu siç i ka hije.

Andaj ju uroj punë të mbarë, kryetarit të komunës, të gjithë ju drejtues të zonës, deputet, qeveritar, ministra që të solidarizohemi dhe sa më shpejtë ashtu siç jemi dakorduar që në festën e flamurit kryetari i komunës të bëjë inaugurimin e këtij monumenti ku do përfaqësohet e do të shihet nga lartë e lartë ky monument kaq i rëndësishëm.

Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për liri./tetovasot/.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anxhela Peristeri do të përfaqësojë Shqipërinë këtë vit në Eurovision…