Ali Ahmeti shpallet ‘Qytetar Nderi’ i Tiranës, Rama: Një shqiptar ndër më të mirët

02 maj 2024 | 12:56

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti është nderuar këtë të enjte me titullin “Qytetar Nderi” në Tiranë.

Të pranishëm në ceremoni ishin, veç tjerësh, kryeministri Edi Rama, kryeparlamentarja Lindita Nikolla e ministri i Punëve të Brendshme, Taulant Balla.

“Një shqiptar ndër më të mirët, një luftëtar që politikën e diplomacinë i ka kthyer në një mjeshtëri të admirueshme, një udhëheqës që i ka bërë vend të veçantë vetes në historinë e shqiptarëve dhe në zemrat e në mendjet e të gjithëve, përfshirë edhe mendjet e kundërshtarëve e armiqve të tij”, ka shkruar Rama në “Facebook” për Ahmetin.

Ndërsa kryebashkiaku i Tiranës, në nisje të ceremonisë, ka thënë se “nuk është Tirana që nderon Ali Ahmetin me titullin ‘Qytetar Nderi’ është nder në historinë e Tiranës që ju na jepni duke qenë pjesë e familjes sonë, e skuadrës sonë dhe e misionit tonë”.

“Nuk është vetëm Tirana që nderon burrin, që e ka shqiptarinë bosht të ekzistencës së vetë, por Tirana vetë nderohet duke vlerësuar një figurë të jashtëzakonshme, si miku ynë, vëllai ynë, kryetari ynë Ali Ahmeti”, ka thënë Veliaj.

Ali Ahmeti (i lindur më 5 janar 1959) është një politikan shqiptar nga Maqedonia e Veriut dhe një partner i vogël koalicioni në Qeverinë e Maqedonisë që nga viti 2008. Gjatë Luftës së vitit 2001 në Maqedoni ai ishte përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK). Pas luftës së vitit 2001, Ali Ahmeti në vitin 2002 e formoi partinë e tij politike të njohur si Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe u zgjodh kryetar i saj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
FC Struga dhe Shpëtim Duro kanë ndarë rrugët tri ndeshje…