Ali Ahmeti thotë se është koha për kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut

05 qershor 2020 | 15:18

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), që drejtohet nga Ali Ahmeti ka shënuar 18-vjetorin e themelimit si subjekti më i madh i shqiptarëve në Maqedoni.

Ali Ahmeti ka thënë se BDI-ja është trashëgimtare e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe përfaqësuese legjitime dhe absolute e vullnetit politik të shqiptarëve në dy dekadat e fundit.

“Me kënaqësi të madhe dhe krenari për veprimtarinë tonë të përbashkët, ju uroj këtë 18-vjetor të themelimit të Bashkimit Demokratik për Integrim, në veçanti të gjithë anëtarëve, bashkëdrejtuesve, aktivistëve, përkrahësve, simpatizantëve, votuesve, bashkëveprimtarëve, aleatëve, por edhe të gjithë qytetarëve të vendit. 18 vjet qëndruam bashkë në çdo sfidë me të cilën u ballafaquam, në procese të panumërta për ta arritur barazinë e plotë, për t’u integruar tërësisht në NATO dhe në Bashkimin Evropian, për ta rritur cilësinë e jetës, për të siguruar të ardhmen e rinisë sonë dhe të të gjithë neve”, ka thënë Ahmeti në deklaratën e tij për media.

Ai ka thënë se sot Maqedonia është anëtare fuqiplotë e aleancës më të madhe politiko-ushtarake në botë NATO-s. “Sot jemi vend që negocion me Bashkimin Evropian për anëtarësim të plotë në familjen e madhe të kontinentit tonë, sot jemi me barazi të plotë gjuhësore dhe me zbatim të plotë të pjesës normative të Marrëveshjes së Ohrit, me tre universitete në gjuhën shqipe, me shkolla, spitale, çerdhe, rrugë, institucione, sot instaluam parimin e konsensualitetit edhe në vendimmarrje edhe në përzgjedhje si dhe drejtuam si shqiptarë dhe qytetarë të këtij vendi kuvendin, ministritë e mbrojtjes dhe të punëve të brendshme, avokatin e popullit dhe të shtetit, gjykatat supreme dhe kushtetuese, por akoma nuk është përmbyllur e gjitha dhe prandaj, tash ka ardhur koha për diçka të madhe. Të gjitha këto i mundësoi besimi juaj i palëkundur në të gjitha proceset zgjedhore, parlamentare, lokale, presidenciale, referendume gjatë 18 viteve që nga 5 qershori i vitit 2002”, është shprehur Ahmeti.

Ai ka shtuar se ky përvjetor i BDI-së i gjen na gjen në kohë pandemie, e cila ka marrë aq shumë jetë dhe ka prekur me miliona njerëz, duke mos e përjashtuar as Maqedoninë e Veriut.

“Ne të gjithë bashkërisht jemi në këtë betejë, pa dallime etnike, kulturore, fetare, shtetërore, dhe prandaj bashkë dhe pa asnjë përjashtim duhet ti përmbahemi dhe ti respektojmë masat e kujdesit në mënyrë që ti kthehemi normalitetit dhe jetës së përditshme”, është shprehur Ahmeti.

Lideri i BDI-së ka theksuar se në përvjetorin e 18-të të kësaj partie, kanë më shumë nevojë se çdoherë për njëri-tjetrin, për solidaritetin brenda organizatës, për shtrirjen e dorës së bashkëpunimit dhe mbështetjes. “Për besimin që do t’ia dalim sepse diçka e madhe po vjen para nesh, diçka që do të kërkon kontributin e gjithsecilit prej nesh. Të dashur qytetarë, ne e nisëm bashkë këtë rrugëtim para 18 viteve, bashkë u përballuam me çdo sfidë dhe i besuam njëri-tjetrit. Bashkë i përcaktuam dhe i realizuam synimet tona dhe në këtë përvjetor kaq të rëndësishëm për të gjithë ne, le ta përcaktojmë bashkërisht edhe qëllimin tonë të radhës që në zgjedhjet që pasojnë, të realizojmë synimin për të zgjedhur një personalitet të vlerësuar, të dëshmuar dhe të pranueshëm të cilin ose të cilën do ta përzgjedhim bashkërisht për kryeministrin e parë shqiptar. Në çdo përvjetor përcaktojmë synime ambicioze dhe me kohë, ato i realizojmë, prandaj gëzuar miq dhe na priftë e mbara drejt realizimit të qëllimeve tona të përbashkëta”, ka thënë Ali Ahmeti.

(M.Q / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Infrastrukturës ka njoftuar publikun se nesër (e shtunë),…