Alushi: Nuk më zë më gjumi, por jam një nënë e lumtur

27 dhjetor 13:56

2017 ka qenë një prej viteve më të rëndësishëm për një prej futbollisteve shqiptare, e cila ka luajtur me kombëtaren gjermane dhe ka arritur të nominohet në vitin 2010 në vendin e tretë për “Topin e Artë”.

Lira Alushi, ish-mesfushorja e kombëtares gjermane për femra, ka folur gjatë një interviste pasi është bërë nënë për herën e dytë, si dhe për jetën e saj pasi ka përfunduar karrierën si futbolliste.

Si është jeta juaj pasi keni përfunduar karrierën?
Alushi: Ka qenë mjaft e qetë. I vetmi problem që kam pasur ka qenë pagjumësia, por gjithçka ka shkuar mirë.

Cilat janë problemet e të qenit një prind në moshën 29-vjeçare?
Alushi: Im bir Arian është aktualisht dy vjeç, ndërsa vajza Ela do të jetë shumë shpejt një vjeçe e gjysmë dhe të dy ata na mbajnë edhe më të bashkuar si familje. Për ne nuk ka më dallim nga ora 3 e mesnatës ose tre e pasdites. Ela më lë pa gjumë shpesh, por çdo gjë po shkon shumë mirë në jetën time të re si prind. Jemi një familje shumë e lumtur dhe kjo ka më shumë rëndësi për ne. Tanimë jetojmë në Mënshengladbah, pasi edhe bashkëshorti im Enisi po rikuperohet pas një dëmtimi të pësuar disa kohë më parë. Gjithmonë kam dashur të krijoj një familje dhe, për mua, ky është momenti më i lumtur i jetës sime.

A ju mungon sadopak futbolli?
Alushi: Pa dyshim që po. Ka qenë një periudhë e jashtëzakonshme për mua, por më mungon jashtëzakonisht futbolli. Sa herë që kaloj pranë një fushe futbolli më krijohet ndjesia që të vrapoj në fushë dhe të shënoj sërish. Disa ditë më parë kam luajtur pak futboll me tim bir, por e kam kuptuar menjëherë që nuk jam më në formën fizike që kam qenë më parë. Tani duhet ta nis sërish çdo gjë nga fillimi për të arritur aty ku isha dhe kjo është tepër e vështirë.

A mendoni se do të ktheheni sërish në botën e futbollit?
Alushi: Kurrë mos thuaj kurrë! Mund ta imagjinoj veten në një klub të vogël thjesht për të qenë në formën e mëparshme. Nuk jam duke folur për një skuadër profesionistësh në të cilën do më duhet të stërvitem dy herë në ditë, pasi nuk kam më kohë për diçka të tillë. E adhuroj faktin që jam një mama tanimë dhe dua të kaloj sa më shumë kohë me fëmijët e mi.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sonte (e mërkurë) në kuadër të Kupës së Italisë përballën…