Ambasada e ShBA në Tiranë i reagon Sali Berishës
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Shqipëri ka reaguar pas deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha ndaj ambasadores amerikane, Yuri Kim dhe padisë në gjykatën franceze ndaj sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken.
Në reagimin e kësaj ambasade është thënë se ShBA-ja mbetet e vendosur në luftën kundër korrupsionit.
“Midis urdhrit ekzekutiv të presidentit Biden, shpalljes nga sekretari i Shtetit Blinken, deklaratave të ambasadores Kim përpara shtypit medias javën e kaluar dhe editorialit të saj këtë javë, qëndrimi i SHBA është i qartë dhe i pandryshuar: lufta kundër korrupsionit përbën një interes thelbësor të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe ne do të përdorim të gjitha instrumentet që kemi në dispozicion për tu përballur me korrupsionin dhe pandëshkueshmërinë”, është thënë në reagimin e Ambasadës së ShBA-së në Tiranë.
Sali Berisha ka njoftuar të enjten se avokati i tij francez ka depozituar padi për shpifje ndaj Blinken në gjykatën franceze si dhe ka ftuar atë të dërgojë provat që ka kundër tij.
Berisha është shprehur se qëndrimi i ambasadores Yuri Kim në PD ishte i pavend, duke e quajtur më skandalozin në 30 vitet e lëna pas për një diplomat të huaj në Shqipëri.
Berisha: Kam dorëzuar padinë për shpifje në Gjykatën e Parisit



