Ambasada e SHBA-së: Shëndetësia dhe arsimi paralel serb duhet të integrohen në sistemin e Kosovës

04 shtator 2025 | 23:23

E Ngarkuara me Punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Anu Pratipati, ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në jetën institucionale dhe politike të vendit.

Në një intervistë për mediat në gjuhën serbe, Pratipati ka theksuar se “kur nuk je në tryezë, të tjerët marrin vendime për ty”, duke i bërë thirrje komunitetit serb që të marrë përgjegjësi në ndërtimin e një Kosove më të qëndrueshme dhe të begatë.

Pothuajse një vit pas largimit të ambasadorit Geoffrey Hovenier, Pratipati është zyrtarja e parë që drejton Ambasadën Amerikane në Kosovë.

Ajo konfirmoi se procesi i përzgjedhjes së një ambasadori të ri mund të zgjasë, por theksoi se mungesa e tij nuk nënkupton mungesë angazhimi nga ana e SHBA-së.

“SHBA ka mbështetur me krenari rrugën e Kosovës drejt bërjes një vend sovran, demokratik, multietnik dhe të begatë. Por jemi të shqetësuar për veprimet e qeverisë së përkohshme dhe për lëvizjet që kanë rritur tensionet, sidomos në raport me trajtimin e serbëve,” deklaroi Pratipati.

Ajo rikujtoi se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, është përgjegjëse për sigurinë dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve pa dallim.

“Ne presim që Qeveria të garantojë mundësi të barabarta për serbët dhe të sigurojë pjesëmarrjen e tyre të plotë në jetën politike dhe qytetare të Kosovës,” shtoi ajo.

Sa i përket institucioneve paralele serbe në arsim dhe shëndetësi, Pratipati tha se ato duhet të integrohen në sistemin e Kosovës.

“E kuptojmë ndjeshmërinë që lidhet me arsimin dhe shëndetësinë e komunitetit serb. Jemi shprehur vazhdimisht kundër mbylljes së institucioneve pa koordinim me ta,” theksoi diplomatja amerikane, shkruajnë mediat serbe, transmeton Telegrafi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Projekti i paralajmëruar si “më i madhi në historinë e…